TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Mars 2026, 11:59

Ndalohen sportistet transgjinore në garat olimpike për femra, Trump mbështet vendimin

Shkruar nga Pamfleti

Ndalohen sportistet transgjinore në garat olimpike për femra, Trump

Presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry, ka njoftuar se të gjitha sportistet që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” do t’i nënshtrohen testimeve gjenetike për të verifikuar nëse janë biologjikisht femra.

Në deklaratën e saj, Coventry theksoi se kjo politikë bazohet në argumente shkencore dhe në rekomandime të ekspertëve mjekësorë, duke nënvizuar rëndësinë e barazisë në konkurrencë.

“Ato ç’ka kemi shpallur janë politika të bazuara në shkencë dhe të udhëhequra nga ekspertë mjekësorë. Në Lojërat Olimpike edhe diferencat më të vogla mund të përcaktojnë fituesin, ndaj nuk do të ishte e drejtë që meshkujt biologjikë të garojnë në kategorinë e femrave. Në disa sporte, kjo mund të jetë edhe e pasigurt”, u shpreh ajo.

Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë debatesh lidhur me pjesëmarrjen e sportisteve transgjinore në garat ndërkombëtare. Masa është përshëndetur edhe nga Shtëpia e Bardhë, e cila kujtoi se në shkurt 2025, Donald Trump kishte firmosur një urdhër ekzekutiv që synon ndalimin e sportistëve transgjinorë në sportet për vajza dhe gra, duke parashikuar ndërprerjen e fondeve federale për institucionet që i lejojnë ata të garojnë.

Sipas IOC, rregullat e reja synojnë të garantojnë konkurrencë të drejtë dhe siguri për sportistet, duke u mbështetur në argumente shkencore mbi avantazhet fizike në sport.

Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime të ndryshme. Mbështetësit e konsiderojnë si një hap të nevojshëm për mbrojtjen e barazisë në sportet e femrave, ndërsa kritikët paralajmërojnë për rrezikun e diskriminimit dhe përjashtimit të sportisteve transgjinore.

Lini një Përgjigje