
Kombëtarja shqiptare arriti 2 ditë më parë një kualifikim historik në “Play-Off” e Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë shkruajtën kështu historinë, pasi tashmë jemi vetëm 180 minuta larg Botërorit.
Fitorja me Andorrën u festua gjatë dhe shumë kush mund të mendojë se dueli me Anglinë që do të luhet ditën e nesërme në “Air Albania” do të jetë për formalitet. Në fakt kushdo që e ka menduar diçka të tillë, gabohet.
Silvinjo dhe “djemtë” e tij ndaj “Tre Luanëve” do të luajnë edhe “fatet e jetës”. Kjo pasi pavarësisht se kanë siguruar biletën për në “Plkay-Off” si vendi i dytë i grupit K, sërish fitorja e Kombëtares do të vlejë shumë.
Kjo pasi lufta bëhet për ngjitje në renditjen e FIFA-s dhe synimi është që të shkojmë sa më lart në këtë listë. Kjo pasi vazoja e dytë mund të sjellë rivalë më të “lehtë në letër” për kuqezinjtë. Siç dihet me këto rezultate, Shqipëria është pjesë e vazos së tretë dhe nëse fiton me Anglinë dhe ngjitet disa pozicione në renditjen e FIFA-s “lufta” do të jetë më pas për vazon e dytë.
Skenari aktual:
15 nëntor(sot)
Lihtenshtejn – Uells
Uellsi nuk duhet të fitojë me më shumë se 5 gola diferencë sot, që llogaritë të mbeten të hapura. Maqedonia e Veriut kërkon t’i shpëtojë vazos së katërt, por asgjë nuk është e garantuar dhe pse aktualisht mbajnë vendin e dytë në grup. Pozicion që nëse e ruajnë, i dërgon në vazon e tretë.
16 nëntor
Ukrainë – Islandë
Islanda nuk duhet ta humbasë këtë takim. Vetëm kështu Ukraina nuk do të përfshihej në vazon e parë, duke ndryshuar renditjen edhe për përfaqësueset e tjera. Islanda është poshtë Shqipërisë në renditjen e FIFA-s, për këtë nuk përbën rrezik.
18 nëntor
Uells – Maqedoni e Veriut
Në rast se Uellsi nuk fiton me më tepër se 5 gola diferencë ndaj Lihtenshtejnit, Maqedonisë së Veriut i mjafton barazimi në transfertë për të mbajtur vendin e dytë. Në të kundërt duhet të fitojë në finalen e konsideruar për javën tjetër.
Skenari që prish llogaritë:
15 nëntor(sot)
Bosnjë Hercegovinë – Rumani
Bosnjë Hercegovina dhe Rumania po luftojnë për vendin e dytë në grup. Aktualisht Bosnja ka 3 pikë më tepër, ndërsa sot luajnë një sfidë direkte bashkë. Vetëm fitorja e qetëson Bosnjën, pasi me çdo rezultat tjetër do të ishte e rrezikuar. Kjo për shkak se Rumania me 3 pikë më pak, e luan sfidën e fundit me San Marinon, ndërsa Bosnja përballë Austrisë. Në rast se Rumania merr vendin e dytë, pozicionohet edhe në vazon e dytë. Për këtë kuqezinjtë janë krah Bosnjës.
*Tjetër skenar që mund të ndihmojë Shqipërinë:
16 nëntor
Hungari – Irlandë
Të dyja përfaqësueset do të luajnë një finale nesër bashkë. Shqipëria do të kishte në avantazh fitoren e Irlandës ndaj Hungarisë, pasi hungarezët e kanë të sigurt të paktën vazon e dytë. Irlanda megjithatë ka fituar ndaj Portugalisë dhe ekziston mundësia që të kalojë Shqipërinë në renditjen e FIFA-s dhe rrjedhimisht në vazo, për këtë edhe sfida Shqipëri-Angli ka peshë të madhe për llogaritë përfundimtare.
Por le të “kryqëzojmë gishtat” që këto skenare të fuksionojnë siç duhet për kuqezinjtë. Ndërkohë kujtojmë se me 26 mars do të luhen ndeshjet e para të “Play-Off” dhe më 20 nëntor do të hidhet shorti, ku Shqipëria do të mësojë edhe kundërshtarin e kësaj faze.
Lini një Përgjigje