
Shqipëria U-19 zhvilloi sot në stadiumin “Kukës Arena” miqësoren e parë ndaj Kosovës U-19, nga dy të programuara këtë javë. Një ndeshje e bukur e me shumë raste, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 1-0.
Trajneri i ri i Kombëtares U-19, Ervin Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Tomas Kiri, Zylyf Muça, Fabian Përndreca, Adi Kurti, Arlind Kurti, Skerdi Xhixho, Oresti Kasmollari, Flavio Sulejmani, Ledio Tresa, Erald Krasniqi, Samuel Kasa.
Një pjesë e lojtarëve janë të rinj në këtë skuadër, që ka nisur procesin e rinovimit, por duhet theksuar se integrimi ka qenë mjaft i shpejtë dhe paraqitja e kuqezinjve e ka treguar më së miri këtë gjë. Pikërisht lojtarët e afruar së fundmi nga Kombëtarja U-17 ishin protagonistë në këtë premierë të stafit të ri teknik.
Pjesa e parë ishte thuajse e barabartë me kuqezinjtë që patën të paktën dy mundësi shumë të mira për gol, por fati nuk ishte në anën e tyre. Fillimisht Flavio Sulejmani në minutën e 33, lëshoi një goditje të fuqishme fluturimthi nga jashtë zone me topin që u përplas në shtyllën e djathtë pingule të portierit kosovar.
Në vijim të aksionit ishte Erald Krasniqi që pati një tjetër mundësi, por gjuajtja e tij me kokë pas një krosimi në qendër të zonës përfundoi pak mbi traversë. Para përfundimit të pjesës së parë, Sulejmani goditi me kokë pas një krosimi me topin që përfundoi jashtë, shumë afër shtyllës, ndërsa edhe Samuel Kasa iu afrua shumë golit me një gjuajtje mjaft të bukur në ajër me të djathtën, pas një aksioni mjaft të bukur e me shumë kombinime të kuqezinjve.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat bënë shumë zëvendësime, ndërkohë që edhe Kosova tentoi të godiste portën e Shqipërisë herë pas herë, por pa sukses. Gjithsesi, kuqezinjtë vazhduan të ishin më superiorë dhe prodhuan më shumë volum loje. Në minutën e 77, Ledio Tresa provoi nga distanca me topin që u ndal nga mbrojtja fillimisht. Maldin Kacurri, i futur në fushë në pjesën e dytë, arriti të shfrytëzonte rastin, duke goditur portën, me portierin kosovar Miftari që bëri mrekullinë duke shmangur një gol të sigurt.
Kur gjithçka po i drejtohej fundit, në minutën e 90, Shqipëria fitoi një këndore me Endri Damën, që krosoi në qendër të zonës, aty ku portieri Miftari grushtoi fillimisht, por mbrojtësi Adi Kurti përfitoi dhe goditi me të djathtën, duke shënuar e duke fiksuar rezultatin në 1-0. Një gol që vendosi edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes, me trajnerin Ervin Bulku që regjistroi kështu një fitore në debutimin e tij në stolin kuqezi.
Sakaq, më 16 qershor, Shqipëria U-19 do të luajë edhe takimin e dytë ndaj Kosovës, po në stadiumin “Kukës Arena” në orën 10:30.
Lini një Përgjigje