
Sulmuesi i Inter Majemit, Lionel Mesi, nuk është grumbulluar me Kombëtaren e Argjentinës për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës.
Albiçelestet do të përballen me Brazilin në shtëpi dhe Uruguajin në transfertë.
37-vjeçari luajti në sfidën e fundit të Inter Majemit, që mundi Atlanta Junajtid, me rezultatin 2-1, ku dhe shënoi gol. Por nga analizat e kryera rezultoi se kishte pësuar një tërheqje muskulore.
Mesi u la në stol për tri takime, përpara se të rikthehej në fushë, ku shënoi në sfidën kundër rivalëve xhamajkanë të Kavalier, të vlefshme për “Concacaf Champions Cup”.
Argjentina mund të sigurojë kualifikimin në dy takimet e radhës.
Albiçelestet kryesojnë grupin kualifikues të Amerikës së Jugut, të përbërë nga 10 ekipe me pesë pikë më shumë nga ndjekësit e Uruguajit, ndërsa kanë ngelur edhe 6 takime deri në përfundim të kualifikueseve.
Verdhejeshilët janë larg shtatë pikë. Gjashtë ekipet e para të renditjes kualifikohen automatikisht në Kupën e Botës 2026, ndërsa skuadra e vendit të shtatë shkon në “play-off”.
Pas 12 raundeve, Mesi është golashënuesi më i mirë me gjashtë gola, duke shkuar në total në 112 rrjeta nga 191 paraqitje ndërkombëtare.
Tifozët prisnin një përballje në fushë mes Mesit dhe Nejmar, por edhe sulmuesi i Santosit, nuk u grumbullua nga Brazili për shkak të një problemi në kofshë.
Lini një Përgjigje