TAGS-AT E JAVËS

Sport 2 Qershor 2025, 17:24

Makthi i Interit: Si u shemb një ëndërr përballë një strategjie brilante

Shkruar nga Pamfleti

Makthi i Interit: Si u shemb një ëndërr përballë

Interi arriti në finale i lodhur, fizikisht dhe mendërisht. Një sezon i tejzgjatur, një numër ndeshjesh që e kalonte çdo rival në Evropë, një skuadër që mbështetej ende në kockën e vjetër dhe një trajner që, ndonëse shpesh i lavdëruar për elasticitetin taktik, nuk kishte zgjidhje për planin e PSG-së...

Allianz Arena, me strukturën e saj futuristike prej gome të bardhë me ndriçim LED që ndryshon sipas ngjarjes apo skuadrës pritëse, dukej si skena perfekte për të nderuar artin e Simone Inzaghit dhe Interit të tij — një futboll me frymëzim Bauhaus, ku funksionaliteti dhe estetika përputhen në harmoni: me presion të vazhdueshëm, daljet e sinkronizuara nga mbrojtja dhe shpërthime të befasishme me pasime diagonale. Kjo finale u shfaq në dukje si mundësia e artë për të përforcuar statusin e Inzaghit dhe për të rikthyer lavdinë zikaltër në tokën gjermane. Dhe megjithatë, ajo çka ndodhi në Mynih ishte e kundërta.

Paris Saint-Germain dominoi fushën dhe Interin me rezultatin shkatërrues 5-0, duke ngritur për herë të parë në historinë e vet trofeun më prestigjioz të futbollit evropian. Ky nuk ishte triumfi i një superfuqie të mbështetur vetëm nga miliardat e Katarit, por i një projekti të ri, i një ndërtimi të qëndrueshëm dhe i një vizioni taktik të drejtuar me mjeshtëri nga Luis Enrique. Një trajner që e nisi me pengesa rrugëtimin e tij, me një eksperiencë të ashpër në Romë ku u përball me tensione dhe mosbesim, por që u transformua në një mjeshtër të lojës pozicionale përmes Barcelonës, Spanjës dhe më pas PSG-së.

Luis Enrique, ose “Lucho”, ka evoluar nga një idealist i vetëm që përpiqej të transplantonte stilin katalanas në çdo kontekst, në një strateg që i lexon ndeshjet me syrin e kirurgut. Teksa në fillim të karrierës dështoi në Romë për shkak të mungesës së mbështetjes dhe kulturës, në Barcelonë ndërtoi një ekip fitues që dominoi Evropën. Me kombëtaren spanjolle, pavarësisht dështimeve në rezultat, zhvilloi dhe rafinoi qasjen didaktike të futbollit të ndërtuar mbi posedim të ndërgjegjshëm dhe rotacione precize.

Te PSG, Lucho nuk u ndal me trofetë e brendshëm. Ai krijoi një skuadër që dinte të alternonte ritmin, që godiste me precizion, që dinte të anulonte kundërshtarin. Në Mynih, strategjia e tij ishte shembullore: neutralizoi të gjitha armët e Interit, shmangu ndërtimin e rrezikshëm nga porta dhe e detyroi skuadrën e Inzaghit të ndjente veten si një kukull pa tel në një teatër taktik të orkestruar nga mjeshtri asturian.

Nga ana tjetër, Interi arriti në finale i lodhur, fizikisht dhe mendërisht. Një sezon i tejzgjatur, një numër ndeshjesh që e kalonte çdo rival në Evropë, një skuadër që mbështetej ende në kockën e vjetër dhe një trajner që, ndonëse shpesh i lavdëruar për elasticitetin taktik, nuk kishte zgjidhje për planin e PSG-së. Një Inter që kishte shkëlqyer në të kaluarën për elegancën dhe sinkronin, kësaj radhe u shfaq i paidentitet, i plogësht dhe i bllokuar.

Ky disfatë u bë simbol i një problemi më të thellë që prek futbollin italian në dekadën e fundit: katër finale të humbura (dy nga Juve, dy nga Interi), përballë trajnerëve që përfaqësojnë një filozofi moderne të futbollit: lojën pozicionale, posedimin e avancuar, rotacionet dhe guximin në ndërtim. Nuk mjafton të thuash që "ata ishin më të pasur", sepse gjithnjë e më shumë diferenca po qëndron në ide, në qasje, në edukimin taktik. Italia vazhdon të qëndrojë pezull, e ndarë mes traditës mbrojtëse dhe mungesës së një identiteti të ri.

Në këtë kuadër, fitorja e PSG-së nuk është thjesht një sukses sportiv. Është një leksion për gjithë futbollin evropian — veçanërisht për italianët: suksesi kërkon vizion, investim në ide, durim dhe transformim. Lucho nuk ndërtoi një skuadër yjesh, por një orkestër precize, ku çdo element lëvizte në harmoni. Interi, përkundrazi, u ndal në mes të rrugës. Dhe Allianz Arena, me gjithë ndriçimin e saj spektakolar, u kthye në skenën ku një epokë e re nisi — dhe një tjetër u zbeh. /Corriere Della Sera

Lini një Përgjigje