
Majk Tajson do të rikthehet në ring pas 2 dekadash, ku do të ndeshet këtë të premte në Teksas kundër boksierit dhe youtuber-it, Xhek Pol.
Më një diferencë moshe prej 31 vitesh më i ri, Pol i cili së fundmi është përfshirë në sportin e boksit, do të provojë të mposhtë një ndër emrat më të mëdhenj të këtij sporti, me 50 fitore në karrierë, ku 44 prej tyre janë fituar me KO.
Në anën tjetër, vetë i riu amerikan numëron 10 fitore në karrierë, me kundërshtarë jo të këtij niveli. Edhe pse i pensionuar dhe me përballjen e fundit që daton në vitin 200, Tajson ka vendosur të jetë pjesë e duelit, që do të mbahet në SHBA ku priten mbi 80 mijë të pranishëm.
Momente tensioni ndodhën gjatë peshimit final të sportistëve, ku Tajson 58 vjeç, goditi me shuplakë YouTuber-in, 27-vjeçar, duke ndezur atmosferën përpara ndeshjes së parë profesionale të ish-kampionit të peshave të rënda që nga viti 2005.
Të dy boksierët u peshuan përballë fansave të shumtë në Dallas, të cilët brohorisnin për Tajsonin dhe tallnin 27-vjeçarin. Pol peshonte 103.06 kg, ndërsa Tyson 103.61 kg.
Pas incidentit, Tajson u largua duke refuzuar të komentonte arsyet e goditjes.
Nga ana tjetër, Xhek Pol reagoi me përçmim, duke thënë: “As që e ndjeva. Ai është i zemëruar. Ai është një kukudh i vogël i zemëruar… Ai godet si një amator, është personale tani!”
Eventi në fjalë pritet të nisë pak para mesnatës, e me gjasa ndeshja kryesore mes Tajson dhe Pol do të luhet mëngjesin e së shtunës. Sipas informacioneve të mediave amerikane, eventi në fjalë pritet të prodhojë afro 300mln dollarë, ndërsa biletat kanë qenë në vlera të mëdha. Në bazë të rregullores, dueli do të zgjasë 8 raunde, ndërsa përfshihet në një përballje të peshave të rënda, ku favorit sipas kompanive të basteve është 27-vjeçari.
Lini një Përgjigje