TAGS-AT E JAVËS

Sport22 Qershor 2023, 18:17

Kukësi drejt shpërbërjes së skuadrës, operacionit “fshesa” tek ekipi verilindor i mbijetojnë vetëm 4 lojtarë

Shkruar nga Pamfleti

Kukësi drejt shpërbërjes së skuadrës, operacionit

Për herë të tretë radhazi, Kukësi nuk ia doli të siguronte pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Një dështim që mund të konsiderohet si tragjik për klubin verilindor, që tashmë po përballet me një merkato shkatërrimtare.

Në këto ditë të para, Kukësi ka pësuar një eksod të frikshëm, ku plot 16 lojtarë kanë konfirmuar tashmë divorcin. Operacionit “Fshesa” deri më tani i kanë shpëtuar vetëm 4 futbollistë, të cilët mund të konsiderohen edhe si baza e ekipit në sezonin e ri. Bëhet fjalë për Angjelo Tafa e Mbarak që kanë kontratë deri në vitin 2025 dhe Atdhe Rashiti e Lamçe që kanë firmosur deri në vitin 2026 me Kukësin.

Të mbijetuarit – Nëse largimi i “senatorëve” ndodhi thuajse në bllok, pasi të dyja palët nuk ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit, në Kukës janë ende edhe katër lojtarë të tjerë, për të cilët nuk dihet se si do të vijohet me të ardhmen. Bëhet fjalë për futbollistë që kanë qenë pjesë e rëndësishme e formacionit dhe që kanë një kontratë afatgjatë. Portieri Angelo Tafas dhe mesfushori Abdou Mbarak janë të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2025, praktikisht edhe për dy sezone të tjera. Ndërsa sulmuesi Atdhe Rashiti dhe mbrojtësi Franko Lamçe kanë kontratë edhe për tri sezone të tjera, deri në vitin 2026.

Praktikisht, këta lojtarë nuk mund të largohen dot pa lejen e klubit dhe nga ana tjetër klubi nuk i largon dot pa një marrëveshje, sepse është kontrata ajo që i mban të lidhur. Mbetet për t’u qartësuar në vijim edhe e ardhmja e tyre, nëse do t’i bashkohen grupit të të larguarve apo pikërisht nga ky bosht do të rindërtohet Kukësi i së ardhmes. E gjitha do të varet edhe nga financat e klubit, pasi kuptohet që në tri sezonet e fundit, verilindorët vetëm kanë shpenzuar pafund dhe mospjesëmarrja në Kupat e Europës ka bërë një “gropë” financiare.

Ndonëse këta katër futbollistë nuk kanë qenë ndër më të paguarit në klubin e Kukësit, sërish kanë një kosto financiare që mund të rëndojnë arkat e klubit. Për momentin lojtarët janë duke vijuar pushimet dhe ende nuk flitet për ndonjë takim me drejtuesit për të negociuar kushtet e kontratës, por sigurisht bëhet fjalë për një çështje që pritet të sqarohet në ditët në vijim. Ndoshta, edhe kjo katërshe do të ketë fatin e të larguarve të tjerë nga ekipi i Kukësit.

kukësi skuadra verilindore

Lini një Përgjigje