
Përfundon me rrjeta të paprekura ndeshja kualifikuese e “EURO 2024” mes Kosovës dhe Rumanisë e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ky ishte barazimi i tretë për "Dardanët" në po kaq ndeshje të zhvilluara. Në ndeshjen e parë barazuan me Izraelin në transfertë, më pas me Andorrën në Prishtinë dhe tani me Rumaninë, duke komplikuar shumë objektivin që kanë për të siguruar një kualifikim të mundshëm për në finalet e kampionatit europian Gjermani 2024.
Rastin më të mirë e pati Bersant Celina në kohën shtesë. Ai gjuajti nga distanca, por portieri rumun nuk u mposht. Florent Muslija po ashtu goditi mjaft bukur në minutën e 35. Një minutë më vonë provoi me kokë, Vedat Muriqi, por u tregua i pasaktë.
Kosova rriti lojën në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Por fusha e rënduar pengoi të dy përfaqësueset të shfaqnin më shumë.
Në minutën e 69 shpërtheu festa në “Fadil Vokrri”, pasi një gjuajtje e Zhegrovës me kokë i dha avantazhin “Dardanëve”.
3 minuta më vonë, gjyqtari holandez Makeli shkoi të shihte pamjet në VAR, për një pozicion jashtë loje të Celinës gjatë aksionit dhe vendosi të anulonte golin.
Në minutën e 78, Zhegrova tentoi me një gjuajtje të harkuar që po shkonte drejt portës, por Moldovan gjeti devijimin për të mbajtur goditjen jashtë katërkëndorit.
Në minutën e 92, Vedat Muriqi humbi rastin artë. Muriqi goditi nga zona, por topi shkoi mbi portë.
Me këtë barazim, Kosova renditet në vendin e 3 me 3 pikë, ndërsa Rumania mban vendin e 2 me 7 pikë.
Lini një Përgjigje