
Jasir Asani u përgjigjet zërave për një transferim të mundshëm te Jokohama:
“Është sekret, por unë jam ende lojtar i Guanzhu”. Anësori shqiptar që po luan në kampionatin e Koresë së Jugut, i ka hedhur benzinë zjarrit në lidhje me largimin e tij gjatë verës, duke konfirmuar se po merr oferta të shumta, teksa Jokohama Marinos i Japonisë, është një ndër palët e interesuara. Pas barazimit 2-2 me Daejeon, Asani iu drejtua shkurtimisht mediave koreane në zonën miks. Kur u pyet drejtpërdrejt për një transferim të mundshëm, 30-vjeçari u përgjigj me një buzëqeshje:
“Është sekret”. I shtyrë më tej, ai shtoi në mënyrë misterioze: “Jam këtu tani”, përpara se të theksonte angazhimin e tij ndaj Guanzhusë për momentin. Megjithatë, prapa skenave, një lëvizje duket gjithnjë e më e pashmangshme. Raportet e mediave japoneze sugjerojnë se Jokohama që aktualisht po kalon një nga sezonet e veta më të këqija në kampionat, po shtyn fort për nënshkrimin e Asanit. Por anësori e bëri të qartë se ekipi japonez nuk është i vetmi në ndjekjen e tij. “Nuk është vetëm një klub që ka bërë një ofertë”, konfirmoi ai pas ndeshjes.
Situata- Guanzhu, aktualisht nën hetim disiplinor për shkelje të rregulloreve financiare të “K League”, thuhet se po përgatitet të ndahet nga Asani këtë verë. Me vetëm gjashtë muaj të mbetur në kontratën e tij, afati kalimtar po mbyllet për të rikuperuar një tarifë të konsiderueshme transferimi të vlerësuar në 660 mijë euro. Një përfaqësues i klubit pranoi se negociatat ishin duke u zhvilluar:
“Klube të tjera janë në bisedime me ne. Tarifa ka të ngjarë të jetë më e ulët se ajo që u diskutua në dimër”, tha ai. Duke kujtuar se në dimër flitej se për Asanin kërkoheshin 1,5 milionë euro. Pavarësisht spekulimeve të shumta për transferime, Asani bëri një paraqitje të shkëlqyer kundër Daejeon, duke shënuar një gol dhe duke asistuar një tjetër. Goditja e tij me këmbën e majtë e zgjidhi rezultatin dhe një pasim i zgjuar i dha mundësi Park të shënonte golin e dytë të Guanzhusë.
Ngacmimet me trajnerin- Tekniku kryesor Le Jung-Hyo ofroi një vlerësim të çuditshëm të humorit të shqiptarit: “Asani duket se është me humor të mirë kohët e fundit. Pse? Mendoj se do ta dimë së shpejti”. Kur u informua për vërejtjet e trajnerit, Asani u përgjigj:
“Kam qenë nën presion, pasi nuk kam luajtur për ekipin kombëtar, por kthimi në Guanzhu më ka qetësuar. Ndihem rehat këtu dhe kjo më ndihmoi të performoj mirë. Jam ende këtu. Nëse qendrojmë të përqendruar, Guanzhu mund të ngjitet përsëri në garën për Champions-in e Azisë. Ne kemi cilësinë”.
Lini një Përgjigje