
Tomas Tuhel do të jetë trajneri i ri i Anglisë. Gjermani është trajneri i tretë në krye të “Tre Luanëve” që nuk është britanik, pas Sven-Goran Erikson dhe Fabio Kapelos. Pas firmës, tekniku Tuhel, u shpreh i lumtur.
Një zgjedhje që nuk është pritur aspak mirë nga i gjithë shtypi anglez, me “Daily Mail” që akuzoi ashpër Federatën Angleze për emërimin e gjermanit në krye të skuadrës.
Media prestigjioze angleze vë dyshime mbi aftësitë e Tuhel, duke e cilësuar si një “një gjerman me të kaluar të diskutueshme si trajner”. Në fund të shkrimit “Daily Mail” thekson se kjo është një ditë e zezë për futbollin anglez.
Shkrimi i Daily Mail:
“Garet Sauthgejt mund të mos jetë vlerësuar nga të gjithë, por i dha kombëtares sonë një identitet. Iu dha lojtarëve dhe të gjithëve ne një arsye për të besuar. Ai iu qas kompeticioneve me shpresë dhe pritshmëri.
Garet shkoi nga ‘EURO 1996’ si lojtar në gjysmëfinale dhe finale (dy prej tyre) si trajner. Ai ishte njëri prej nesh.
Tani kemi Tomas Tuhel, një gjerman me të kaluar të diskutueshme si trajner, dhe FA që lëviz si ‘pulë pa kokë’, në panik, për të arritur tek ai përpara Manester Junajtid. Është e qartë se Li Karsli nuk ishte njeriu i duhur, por a është vërtet kjo gjëja më e mirë që mund të bëjmë?
A ka mësuar dikush nga qendrimi ‘merr paratë dhe ik’ i Sven Goran Erikson e Fabio Kapelos?
Dhe çfarë do të thotë kjo për sistemin e stërvitjes angleze? Sa fyese, injorante dhe dritëshkurtër, e pafalshme. A do ta ndiqnin ndonjëherë këtë qasje Spanja apo Franca?
Ndoshta do të kishim bërë një përjashtim për të madhin Pep Guardiola, por tani kemi një ‘mercenar’, që nuk na ka borxh asgjë. Tuhel do ta kalojë këtë eksperiencë në futbollin tonë pa asnjë lidhje me tifozët apo lojtarët.
Kjo është një ditë e zezë për futbollin anglez. Ne jemi për t’u tallur (turpi) nga futbolli botëror”.
Lini një Përgjigje