
Numri një i FIFA-s, Xhani Infantino takoi pak orë më parë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Temat e diskutimit nuk mund të ishin të tjera veç dy eveneteve të mëdha që do të mbahen në muajt në vazhdim përtej oqeanit.
Siç dihet në verën e këtij viti FIFA ka vendosur që të zhvillojë në SHBA edicionin e parë të Kupës së Botës për Klube. Një event ky që i garanton fitueses një shifër rreth 150 milionë euro. Gjatë takimit Infantino i prezantoi presidentit edhe trofeun prestigjoz.
Një tjetër argument i këtij takimi është edhe Kupa e Botës, e cila do të mbahet në Meksikë, SHBA dhe Kanada. Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij kompeticioni, i cili do të luhet në verën e 2026-ës, Donald Trump firmosi një dekret ku falë të cilit do të ngrihet një Task Force, i cili do të merret me mbarëvajtjen e këtij kompeticioni.
Në një bashkëbisedim me Infantinon, Trump u interesua për ekipin fitues duke pyetur numrin një të FIFA nëse SHBA-të kishin shpresë për të triumfuar në finale.
“Do të jetë një event i madh, mendoj unë! Të gjithë e njohin Xhani Infantinon. Është një lloj mbreti i futbollit, në njëfarë mënyre mendoj unë! Dhe ai na ndihmoi që këtë event ta organizonim ne! Dhe ne do të bëjmë një punë fantastike, e që tifozët të ndihen si në shtëpi! Hera e parë që organizohet në këtë pjesë të botës dhe është nder! Tensionet me Kanadanë e Meksikën? Janë gjë e mirë, do ta bëjë këtë më emocionuese”, tha Trump.
“SHBA-të mund ta fitojnë falë ndihmës së publikut. E kanë një shans”, u përgjigj Infantino, i cili renditi mes favoriteve Argjentinën, Brazilin, Anglinë dhe Gjermaninë. Në këtë pikë mediat franceze janë “rebeluar” pasi sipas tyre mungesa e dy herë kampionëve të botës mes pretendenteve nuk ishte rastësore, duke patur parasysh takimin e fundit e fundit të Emmanuel Macron me Donald Trump.
Lini një Përgjigje