TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Gusht 2025, 13:37

Igli Tare “dopietë” në merkato, Milani 'blindon' mbrojtjen; De Winter dhe Athekame mbërrijnë sot në Itali

Shkruar nga Pamfleti

Igli Tare “dopietë” në merkato, Milani 'blindon'

Pas forcimit të mesfushës me sukses të jashtëzakonshëm, Milani po përforcon edhe repartin e mbrojtjes. Kuqezinjtë kanë finalizuar marrëveshjet për transferimin e Koni De Winter nga Genoa dhe Zachary Athekame nga Young Boys. Këto dy blerje plotësojnë dy nevoja të rëndësishme në skuadër, ndonëse lojtarët vijnë me karakteristika të ndryshme.

Transferimi i De Winter u mbyll me Genoan për 18 milionë euro, plus 2 milionë euro bonuse shtesë, dhe lojtari pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej 1.8 milionë euro. Nga ana tjetër, Young Boys do të përfitojë 10 milionë euro për Athekame, me një klauzolë që i garanton 10% të çdo shitjeje të ardhshme të lojtarit.

Negociatat për të dy lojtarët kishin avancuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke çuar në përfundimin e marrëveshjeve me klubet respektive. Megjithatë, merita kryesore i takon Igli Tares, i cili kishte siguruar pëlqimin e lojtarëve më herët.

De Winter do të zëvendësojë Thiaw-n, me Milanin që veproi shpejt për të mposhtur konkurrencën nga Interi, ndërsa Athekame, një mbrojtës i djathtë 20-vjeçar dhe ende në zhvillim, pritet të integrohet gradualisht në ekipin titullar.

Së fundmi, Young Boys tentoi të rriste çmimin për Athekame, mbështetur nga një ofertë prej 13 milionë eurosh nga një klub francez, por lojtari qëndroi i vendosur në dëshirën e tij për t’iu bashkuar vetëm Milanit.

Lini një Përgjigje