
Pas fitores spektakolare 2-4 ndaj Daugavpils në Letoni dhe kualifikimit të merituar në turin e dytë të Conference League, Vllaznia ka mësuar tashmë edhe kundërshtarin e radhës. Bëhet fjalë për një emër të frikshëm në futbollin nordik Vikingur Reykjavik nga Islanda.
Vikingur, që erdhi nga një duel i ashpër ndaj Malishevës së Kosovës, nuk tregoi mëshirë: pas fitores minimale 0-1 në Kosovë, në ndeshjen e kthimit shkatërroi kundërshtarin me rezultatin shokues 8-0, duke e mbyllur me një total prej 9 golash të shënuar pa pësuar asnjë. Një sinjal i qartë për fuqinë ofensive të ekipit islandez, që nuk është hera e parë që përballet me shqiptarët.
Pikërisht një vit më parë, Vikingur ishte ai që ndaloi edhe Egnatian në rrugëtimin europian. Edhe pse kampionët e Shqipërisë fituan 0-1 në Islandë, ndeshja e kthimit në Rrogozhinë përfundoi me fitoren 0-2 për Vikingur, duke i eliminuar shqiptarët me qetësi dhe efikasitet.
Për Vllazninë, ky është një test i vërtetë karakteri dhe profesionalizmi. Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Loro Boriçi” më 24 korrik, ndërsa kthimi do të luhet një javë më pas në tokën islandeze. Kuqeblutë e Martinit pritet të kenë mbështetjen masive të tifozëve, ndërsa përballë do të kenë një nga skuadrat më të forta që kanë kaluar ndonjëherë në Shkodër në kompeticionet UEFA.
Fitorja e fundit në Letoni ka rritur moralin dhe besimin, por për të kaluar këtë tur, Vllaznia duhet të jetë perfekte – si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Sytë tani janë drejt Shkodrës; sfida sapo ka nisur.
Lini një Përgjigje