
Lewis Hamilton po përjeton sezonin më të errët të karrierës që nga debutimi i tij në Formula 1.
Piloti britanik, tashmë pjesë e Ferrarit, u tërhoq nga Çmimi i Madh i Brazilit pas vetëm 39 xhirosh, duke e quajtur këtë vit “një makth”. Gara nisi keq që në xhiron e parë, kur Hamilton u bllokua nga Williams-i i Carlos Sainz dhe më pas dëmtoi krahun e përparmë të makinës gjatë një tentimi të rrezikshëm për të parakaluar Franco Colapinton e Alpine. Penaliteti prej 5 sekondash dhe dëmtimi e detyruan britanikun të dorëzohej në fund të garës, duke përfunduar në vendin e fundit.
Kjo ishte hera e parë që Hamilton tërhiqej nga gara e Interlagos që prej vitit 2012, kur garonte ende për McLaren. Për Ferrarin, zhgënjimi është edhe më i madh; skuadra italiane nuk mori asnjë pikë në Brazil për të tretën herë këtë sezon, duke rënë në vendin e katërt në renditjen e konstruktorëve pas Mercedes dhe Red Bull. Një dështim i plotë për “Kokëkuqen” që nisi vitin me ambicie të mëdha dhe premtime për rikthim te lavdia.
Hamilton, që nuk ka arritur asnjë podium këtë vit, e përshkroi situatën si “një periudhë të vështirë dhe impenjative”. Për Sky Sports ai u shpreh: “Është një makth, po e përjetoj prej disa javësh. Kalimi nga ëndrra për të garuar me Ferrarin te rezultatet që kemi marrë është i vështirë për t’u përtypur.”
Megjithatë, në një intervistë për Viaplay, britaniku u tregua më optimist: “Do të ishte gabim të mohoja aspektet pozitive. Paraqitjet e Leclerc tregojnë që makina ka ritëm. Duhet vetëm të shtyjmë dhe të japim gjithçka kemi. Besoj ende te kjo skuadër.”
Hamilton do të ketë mundësinë e radhës për t’u rikthyer në formë në Çmimin e Madh të Las Vegasit, që zhvillohet më 23 nëntor. Për Ferrarin dhe tifozët e tij, çdo rezultat më pak se podium do të jetë konfirmimi i një sezoni katastrofik.
Lini një Përgjigje