
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, i cili aktivizohet me kampionët e Spartës së Pragës, ishte protagonist në kualifikueset e Champions League me një supergol “alla Mesi” të realizuar nga goditja e dënimit.
Futbollisti kuqezi i mrekulloi të gjithë me eurogolin e realizuar në minutën e 105, në duelin e vlefshëm për turin e tretë të Ligës së Kampionëve ndaj Kopenhagenit. Me një gjuajtje të kalibruar, Laçi shtangu portierin kundërshtar, duke shënuar golin për 2-1. Vlen të theksohet se mesfushori shqiptar e nisi këtë përballje nga stoli, teksa u aktivizua në minutën e 89.
Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1, teksa dueli iu drejtua minutave shtesë. Në minutat shtesë u shënuan plot 4 gola, teksa rezultati përfundimtar i sfidës ishte 3-3. Në fund ishte skuadra daneze ajo që festoi, duke u kualifikuar falë “ruletës ruse”.
Penalltitë i buzëqeshën Kopenhagenit, duke i fituar 2-4. Në gjuajtjet e 11-metërshave, u përfshi edhe Laçi. I dyti në radhë shqiptari u tregua i saktë nga pika e bardhë. Krejç idhe Sorensen ishin ata që gabuan për Spartën e Pragës, duke i dhuruar kualifikimin skuadrës daneze. Laçi do të vijojë aventurën në “play-off” të Europa League.
Qazim Laci 's superb goal!
— FootColic ⚽️ (@FootColic) August 15, 2023
Sparta Praha 2-1 FC København pic.twitter.com/OllTkeCU4l
Lini një Përgjigje