TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Korrik 2025, 14:51

Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Botës për Klube, Fluminense sfidon Chelsean!

Shkruar nga Pamfleti

Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Botës për Klube,

Mbrëmjen e kësaj të marte do të zbulohet skuadra e parë finaliste e Kupës së Botës për Klube, pasi do të luhet gjysmëfinalja mes Chelsea-t dhe Fluminense-s. Londinezët janë favoritë në letër, ndërsa kjo është përballja e parë historike mes dy klubeve.

Fluminense, pa më të voglin dyshim, mund të cilësohet si surpriza e këtij edicioni të Botërorit të Klubeve që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Skuadra braziliane, e nënvlerësuar nga shumëkush, ia ka dalë të mposhtë çdo kundërshtar dhe tashmë është pranë një vendi në finalen e madhe.

Përballja me “blutë” e Londrës konsiderohet një sfidë e vështirë, pasi diferencat në letër janë të mëdha megjithatë futbolli mbetet i paparashikueshëm.

Brazilianët, të udhëhequr nga trajneri Renato Gaucho, janë të pamposhtur në 11 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Nga ana tjetër, Chelsea vjen në këtë përballje si fituese e Conference League, trofe që mbylli sezonin për ta në Europë.

Të dyja ekipet përballen me mungesa të rëndësishme, sidomos Chelsea, ku tekniku Maresca nuk do të ketë në dispozicion blerjen e re të merkatos, Liam Delap, i pezulluar për shkak të kartonëve.

Trajneri i Fluminense-s shfaqi vendosmëri përpara sfidës: “Nuk kemi ardhur këtu vetëm për të marrë pjesë, por për të fituar.

Synimi ynë është i njëjtë me atë të Chelsea-t: të arrijmë në finale”, u shpreh Renato Gaucho.

Lini një Përgjigje