
Ballkani barazoi sot me Prishtinën, ndërsa trajneri Ilir Daja u përjashtua me karton të kuq për shkak të protestave. Trajneri kryeqytetas në prononcimin që dha pas barazimit 0-0 me bardheblutë shprehu dy vërejtje për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Daja pohoi se FFK-ja nuk duhet të delegojë arbitra për t’i promovuar ata.
“Shumë e thjeshtë, kërkova që arbitri jo në çdo vendim të lidhet me VAR-in. Nëse arbitri kryesor nuk është i zoti të drejtojë ndeshjen më mirë, Federata mos të delegojë arbitra të tillë. Unë i thash të mos e ndërpresë ndeshjen vazhdimisht. I thash arbitrit na lërë të luajmë futboll. Më dha karton të verdhë dhe i thash faleminderit. Nëse nuk është i zoti mos të na sjellin arbitra të tillë. Kjo është për Federatën”, tha Daja pas ndeshjes.
Ballkani luan javës që vjen me Dritën dhe Gjilanin, dy ndeshjet e prapambetura.
“Na i kanë lënë dy ndeshjet e fundit me 20 dhe 24 dhjetor. Kur Dinamo e Zagrebit, që ka dy herë më shumë lojtarë se ne, dy ndeshje të prapambetura ia kanë shtyrë për sezonin pranveror. Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Gjithë ky mllef nuk është për rezultatet. Jemi në diferencë pikësh me të tjerët, por kam frikë dëmtimin e lojtarëve pasi ndeshje pas ndeshje na mungojnë lojtarët. Nuk ka logjikë që Ballkani të bëjë 33 javë në gjysmën e kampionatit e 22 në gjysmën e dytë. Për këtë lloj nderi që i kemi bërë futbollit të Kosovës, të mos shkatërrohen lojtarët me idenë: hajt ta gjejmë Ballkanin në ditë të vështirë. Nuk do të na gjejnë kurrë në ditë të vështirë”, ka theksuar Daja.
Lini një Përgjigje