
Çekia ka marrë një fitore shumë të vuajtur në “Doosan Arena” 1-0 ndaj Ishujve Faroe, duke vazhduar garën për një kualifikim të mundshëm në Europian. Vendasit ushtruan presion që në minutat e para, por hasën mjaft vështirësi, pasi muri i mysafirëve ishte i pakalueshëm. Djemtë e Silhavit iu afruan disa herë golit brenda fraksionit të parë, por vetëm shtylla dhe fati ishin armiqtë kryesorë të çekëve.
Episodi më i rëndësishëm i takimit erdhi në minutën e 76. Odmar Faero preku topin me dorë dhe arbitri akordoi penallti, me kapitenin Suçek që nuk gaboi, duke i dhënë epërsinë Çekisë.
Avantazhi u ruajt deri në fund, me situatën në grupin E ku është edhe Shqipëria që duket mjaft interesante. Kryesojnë kuqezinjtë me 13 pikë, 2 pikë më shumë se Çekia.
Ndërkohë, Zvicra është befasuar në shtëpi nga Bjellorusia, e cila i ka marrë barazimin 3-3. Helvetët kaluan në avantazh me një supergol të Shaqirit. Por bjellorusët bënë çudinë, teksa barazuan fillimisht me Ebong, e pastaj shënuan shpejt dy gola të tjerë për të kaluar në avantazh. Megjithatë, një fund i rrëmbyeshëm solli golat e Akanzhi dhe Amduni për vendasit, duke bërë që Zvicra të merrte të paktën një pikë në shtëpi.
Lini një Përgjigje