TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Nëntor 2025, 18:03

Egnatia me 10 lojtarë i bën ballë Vllaznisë, nuk ka fitues mes Vorës dhe Partizanit

Shkruar nga Pamfleti

Egnatia me 10 lojtarë i bën ballë Vllaznisë, nuk ka fitues

Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 10 në Abissnet Superiore. Vëmendja ishte në Rrogozhinë, aty ku Egnatia barazoi 2-2 ndaj Vllaznisë, dy ekipe pretendente për “Final Four” dhe titullin këtë sezon.

Në minutën e 41, Elmando Gjini iu afrua golit për Vllazninë, por goditja e tij me kokë u përplas në traversë. Dy minuta më pas, Vllaznia gjeti golin me Sherfi Kallakun, i cili shënoi me një goditje fantastike me të majtën në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asistit të Lirim Kastratit. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për shkodranët, pjesa e dytë ishte vërtet e bukur.

Në minutën e 62, Alessandro Albaneze bëri gjithçka bukur në krah dhe krosoi brenda në zonë ku Ihaja dërgoi topin në rrjetë, duke përfituar edhe nga një mos kontroll i mirë i topit nga portieri i Vllaznisë, Pohls.

Në minutën e 74, Abdurraman Fangaj pengoi brenda zonës Melos Bajramin dhe arbitri dha penallti. Fangaj u ndëshkua për herë të dytë me karton të verdhë dhe ls fushën e lojës. I zakonshmi Bekim Balaj, u tregua i saktë nga 11-metrat dhe kaloi në avantazh shkodranët.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat me Guilem Haime përmes një goditjeje spektakolare dënimi në minutën e 86. Rezultati final 2-2. Vllaznia ngjitet në krye me 20 pikë, njësoj sa Elbasani, ndërsa Egnatia në vendin e tretë me një pikë më pak.

Në “Arenën e Demave”, u luajt derbi i vogël i kryeqytetit mes Vorës dhe Partizanit, që u mbyll në barazim pa gola. Rasti më i rrezikshëm i ndeshjes ndodhi në minutën e 83, ku goditja me kokë e Andi Janjevës pas një goditjeje këndi u devijua nga një kundërshtar dhe përfundoi në shtyllë. Vlen për t’u përmendur edhe dëmtimi i rëndë i Xhuljano Skukës në fund të pjesës së parë, i cili doli me barrelë nga fusha.

Pas këtij barazimi, Vora renditet në vendin e 7 me 11 pikë, ndërsa Partizani në vendin e 8 me 9 pikë.

 

egnatia vllaznia partizani vora abissnet superiore

Lini një Përgjigje