
Trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti, ka shfrytëzuar praninë në Coverciano të ‘Fantastic 5’, të mëdhenjtë e numrit 10 të së shkuarës së kombëtares axurre, për të motivuar grupin e tij në kuadër të “EURO 2024”. Antognoni, Rivera, Totti, Del Piero dhe Baggio folën me lojtarët në sallën e kuvendit të qendrës teknike federale, siç raportohet nga faqja e internetit e FIGC.
Vetë trajneri, në margjinat e ndërhyrjes së ish-të mëdhenjve, iu drejtua lojtarëve të tij:
“Të gjithë kemi nevojë për legjendat, të kemi dikë që ta imitojmë. Nga prania e tyre këtu kuptojmë lidhjen që kanë me blunë e kombëtares. Ne duhet të jetojmë sipas historisë, kemi besim te ju. Është e vërtetë, mund të ketë pak frikë për ta veshur këtë fanellë plot histori, por legjenda të tilla na frymëzojnë”.

‘Fantastic 5’ në Coverciano – Dita speciale nisi në Coverciano nën flamurin e numrit historik të 10-shave të kombëtares. Antognoni, Rivera, Totti, Baggio dhe Del Piero, të gjithë së bashku në ‘Aula Magna’ të Coverciano për të biseduar me ekipin, në prani të trajnerit Luciano Spalletti dhe presidentit Gabriele Gravina. Ky është njoftimi nga FIGC:
“Ata kanë mbërritur, pesë fantastikët e numrit 10 e kanë kaluar portën e Coverciano, barrierën ikonike të ‘Qendrës Teknike Federale’ për të ndjekur stërvitjen dhe kështu t’i shtyjnë djemtë të rrisin performancën e tyre.
Giancarlo Antognoni, Roberto Baggio, Alessandro Del Piero, Gianni Rivera dhe Francesco Totti u shfaqën në mbledhjen e axurrëve në një ditë që kullon aromë gati mistike përballë këtyre legjendave të vërteta të futbollit italian.
Në një nga vendet simbolike të Coverciano, ku spikasin pamjet e triumfeve të mëdhenj në historinë e axurrëve, në sallën e madhe të ‘Qendrës Teknike’, ‘Fantastic 5’ u takuan me skuadrën, të prezantuar nga trajneri Spalletti dhe presidenti federal Gabriele Gravina. Ato, legjendat blu, duke folur u dëgjuan thuajse në një heshtje fetare. Futbollistët e sotëm të kombëtares donin të kuptonin dhe merrnin gjithçka prej tyre.
Fillimisht nisi me një video të golave dhe ndeshjeve të shkëlqyera të këtyre pesë kampionëve të jashtëzakonshëm. Pamjet mbushën ekranin e sallës së kuvendit, ndërsa duartrokitjet e axurrëve të sotëm nuk munguan.

“Unë dua t’i falënderoj këta ‘10’, këta djem të jashtëzakonshëm të kohës dhe burrat e sotëm, që pranuan ftesën për këtë takim, e cila nisi nga një ide e trajnerit”, – nënvizoi presidenti Gravina.
Totti bëri shaka: “Ju thatë se çdo futbollist këtu duhet të marrë një copë nga secili prej nesh…, por në fund, nëse do të ishte kështu, kush luan?”
Më pas, duke iu kthyer seriozitetit, Totti rekomandoi: “Kemi një trajner të madh dhe një grup mjaft të mirë futbollistësh, ndaj ta marrim fushën për të fituar, duke u argëtuar”.
Del Piero konfirmoi: “Është e vërtetë, ka presion, por ju keni një mundësi të madhe, të cilën më pas do ta kujtoni me buzëqeshje. Do të konkurroni me më të fortët dhe nuk ka asgjë më të bukur se sfida”.
Rivera theksoi: “Të jemi këtu është si gjithmonë, krenari”.
Antognoni gjithashtu u përpoq të jepte këshilla të dobishme: “Dilni në fushë me qetësi”.
Më pas Roberto Baggio mori fjalën dhe duke parë audiencën e lojtarëve iu tha atyre: “Armiku më i madh është përgjegjësia, kur vesh këtë fanelë: ose e përballon, ose humbet brenda saj. Gëzohuni duke dhënë gjithçka që keni brenda vetes”.
Më në fund, Buffon e mbylli, siç nënvizoi Spalletti: “Për mua është një ditë epokale, duhet të jetë edhe për ju. Shpresoj ta kuptoni këtë”.
Lini një Përgjigje