
Sot është ndarë nga jeta Skënder Brahimaj, një nga figurat më të dashura dhe legjendare të futbollit vlonjat.
Skënder Brahimaj u lind më 19 Shtator 1936 në Lepenicë të Vlorës. Në moshën 17 vjeçare nis karriera e tij futbollistile me ekipin e Flamurtarit. Në vitin 1962 shpallet një nga 10 futbollistët më të mirë të Shqipërisë.
Karriera e tij futbollistike zgjati 13 vite. Më pas ai shërbeu si trajnier futbolli dhe mësues i edukimit fizik. Në mesin e viteve ‘80, Skënder Brahimaj emërohet trajnier i ekipit të Tepelenës. Ishte pikërisht aty ku ai zbuloi, përgatiti dhe ndihmoi në karrierën e tij, talentin Foto Strakosha, ish-portieri i kombëtares shqiptare gjatë viteve 1990-2000.

Gjatë viteve 1990-2000, Skënder Brahimaj mori në dorë drejtimin e ekipit të Flamurtarit, disa vite si trajnier e më pas edhe si shef i Klubit Flamurtari.
Profesor Skënder Brahimaj ka edukuar e përgatitur shumë breza futbollistësh të mirënjohur, si Uran Xhafa, Gëzim Troqe, Cane Ahmeti, Kreshnik Çipi e së fundmi Foto Strakosha.
Pasioni dhe përkushtimi për sportin e futbollin e ka kthyer Skënder Brahimajn në një nga legjendat e këtij sporti, në qytetin e Vlorës dhe jo vetëm.
Përcjellia për në banesën e fundit bëhet nesër në orën 11, nga shtëpia e tij në lagjen Pavarësia, për në varrezat e Shërishtës.
Lini një Përgjigje