
Orges Shehi debuton me fitore në stolin e Partizanit. Një triumf minimal 1-0 ndaj Teutës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19 dhe të Abissnet Superiore. Rasti i parë serioz i takoi skuadrës së kuqe. Portieri i durrsakëve, Dema i mohoi golin Carës, duke ndezur kështu sfidën.
Në minutën e 21, skuadra kryeqytetase gjeti golin me Hadroj, por festa zgjati pak, pasi VAR e konsideroi si pozicion jashtë loje. Në minutën e 38, Kotobelli shkaktoi penallti pas një ndërhyrje ndaj Hadrojit, duke i dhuruar mundësinë e artë vendasve. Nga pika e bardhë u nis Cara, i cili nuk fali dhe kaloi Partizanin në epërsi.
Kampionët në fuqi nuk e nisën mirë pjesën e dytë, pasi Gjini “flirtoi” me golin. Shtylla shpëtoi të besuarit e Orges Shehit nga pësimi i një goli të sigurt, në minutën e 50. Mysafirët barazuan shifrat me debutuesin Faust, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në fund pati minuta edhe për Xhuliano Skukën, i cili u aktivizua për herë të parë që prej rikthimit të bujshëm te Partizani. Kështu, Partizani renditet në vendin e dytë me 35 pikë, ndërsa Teuta mbyll klasifikimin me 16 pikë.
Lini një Përgjigje