
Armando Broja ka qenë një ndër mungesat e Çelsit në turneun e bluve në SHBA gjatë kësaj vere. Sulmuesi u la jashtë grupit që udhëtoi përtej Atlantikut, pasi nuk është ende në formën e tij optimale pas dëmtimit që pësoi në fundin e vitit të kaluar dhe që bëri t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale.
Përtej progresit që ka bërë duke u kthyer më shpejt se sa parashikohej në stërvitje, sipas “The Evening Standard”, stafi mjëkësor i bluve londinezë është ai që ka ndalur aktivizimin e futbollistit me skuadrën nën urdhrat e Mauricio Poçetinos. Frika se mos Broja dëmtohet përsëri në miqësore, ashtu siç ndodhi në fakt në muajin dhjetor, ka bërë që ai të qendrojë në Londër dhe të stërvitet i vetëm.
Megjithatë, mediat angleze raportojnë se Broja kërkon me çdo kusht që të luajë në ndeshjen e fundit miqësore që Çelsi ka para fillimit të kampionatit në muajin gusht. Blutë e Londrës mbyllin fazën përgatitore me një ndeshje ndaj Borusias së Dortmundit më 3 gusht në Çikago dhe lojtari ka shprehur dëshirën të jetë i pranishëm në këtë ndeshje.
Mbetet të shihet nëse Poçetino do të marrë në konsideratë këtë kërkesë të futbollistit, por kjo do të jetë mundësia e fundit e tij për të treguar vlerat në një ndeshje miqësore, pasi më vonë nis kampionati dhe për të do të jetë e pamundur të gjejë hapësirat që i duhen një futbollisti që kthehet nga dëmtimi.
Lini një Përgjigje