
Barcelona mori një tjetër fitore në La Liga pasi mundi Elçe në Montjuiç me rezultatin 3-1, falë golave të Lamin Jamal, Ferran Torres dhe Markus Rashford. Le të ndalemi tek i pari prej tyre. Talenti nga Rokafonda shënoi golin e tij të tretë këtë sezon në kampionat, pas atyre kundër Majorkës dhe Rajo Vajekanos, dhe të katërtin në total, duke përfshirë edhe atë në Ligën e Kampionëve kundër Olimpiakosit.
Që nga debutimi me ekipin e parë më 29 prill 2023, Jamal ka marrë pjesë në 80 ndeshje të La Ligës, duke shënuar 17 gola dhe dhënë 27 asiste. Shifra të jashtëzakonshme për një lojtar që sapo ka mbushur 18 vjeç. Pikërisht për këtë arsye, ai është shumë afër një rekordi që aktualisht e mban Kilian Mbape në fillimet e tij si profesionist. Sulmuesi aktual i Realit të Madridit është futbollisti me më shumë gola në 5 ligat e mëdha të Europës përpara se të mbushte 19 vjeç: 23 gola, të shënuar me fanelën e Monakos dhe PSG-së.
Kështu, numri 10 i Barcelonës ka ende 27 ndeshje të La Ligës përpara për të shënuar 7 gola më shumë dhe tejkaluar rekordin që vendosi francezi në Ligën 1. Lamin Jamal do të mbushë 19 vjeç më 13 korrik 2026, ndaj mundësia për ta bërë të tijin këtë rekord zgjat deri në fund të këtij sezoni. Me shumë gjasa do t’ia dalë.
Lini një Përgjigje