
Champions League ka dhuruar spektakël me ndeshjet e zhvilluara mbrëmjen e sotme. Barcelona është hakmarrë ndaj Bajernit të Mynihut, pas asaj humbjeje turpëruese 8-2 në sezonin 2019-2020.
Katalanasit kanë triumfuar me rezultatin 4-1 përballë bavarezëve. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flik e mbylli pjesën e parë në avantazhin e 3 golave. Spanjollët e nisën vrullshëm takimin duke marrë epërsinë që në minutën e parë të takimit.
57 sekonda pasi gjyqtari vërshëlleu startin e takimit, Rafinja iu shkëput mbrojtjes dhe pasi shmangu Nojerin e dërgoi topi në rrjetë.
Ndërkohë gjermanët reaguan në minutën e 18, duke vendosur baraspeshën e përkohshme. Aksion i shpejtë i bavarezëve me Gnabri, i cili nga e majta harkoi për Kejn, me anglezin, i cili këtë herë shmangu pozicionin jashtë loje dhe gjeti rrugën e rrjetës.
Por vendasit rimorën avantazhin në miuntën e 36, teksa Robert Levandovski ndëshkoi ish-skuadrën e tij për shifrat 2-1. Goli kundër Bajernit ishte goli i 700 që sulmuesi polak realizon në karrierën e tij (në të gjitha kompeticionet, per klubin dhe kombetaren)
Teksa pritej mbyllja e pjesës së parë, Rafinja me golin e dytë personal thellon në 3-1 rezultatin në favor të skuadrës së Flik.
Barcelona realizoi edhe golin e katërt duke i vënë “kapak” sfidës së mbrëmjes së sotme. Rafinja ishte sërish autori i golit, i cili plotësoi tripletën personale.
Kundërsulm i shpejtë i katalanasve, Jamal dha një pasim perfekt për Rafinjën, i cili kontrolloi me gjoks dhe pastaj eci drejt zonës, duke mposhtur përsëri Nojerin me një diagonale.
Në ndeshjet e tjera, Liverpuli ka marrë një fitore me vuajtje në transfertë përballë Lajpcigut. Heroi i të kuqve ishte Darvin Nunjez me golin e realizuar në minutën e 27.
Mançester Siti ka mposhtur me “manita” 5-0 Spartën e Pragës së Indrit Tucit. Fil Foden në minutën e 3, Haland me dopietën e tij në minutat 58 dhe 68, Xhon Stons në minutën e 64 dhe Mateus Nunjes në minutën e 88 nga pika e bardhë e penalltisë ishin autorët e golave për ekipin e Guardiolës.
Surpriza e mbrëmjes vjen nga Spanja. Atletiko e Madridit është mposhtur me përmbysje në shtëpi nga Lilë me rezultatin 1-3. Edon Zhegrova rrëmbeu sërish skenën e Championsit, teksa i shënoi një gol fantastik skuadrës së Diego Simeones, ku me një gjuajtje fenomenale në hyrje të zonës në minutën e 61, vendosi baraspeshën duke çuar peshë zemrat e tifozëve të Lilës.
Një realizim me të vërtetë mbreslënës ai i yllit të Kosovës, i cili është shndërruar në një protagonist absolut te skuadra franceze. Në duelin e mbrëmjes së sotme, Zhegrova e nisi ndeshjen nga stoli duke zënë vendin e Kabelës së dëmtuar në minutën e 16.
Interi ka triumfuar vetëm në minutat e fundit përballë Jang Bojs. Markus Turam i dha 3 pikët kampionëve të Italisë në ndeshjen e luajtur në Zvicër, ndërkohë në minutën e 48, Marko Arnautoviç pati shansin e artë për të kaluar zikaltërit në avantazh, por austriaku u tregua i pasaktë nga gjuajtja e penalltisë.
Dinamo e Zagrebit mposhti pastër 0-2 Salcburgun, ndërsa Befika u mposht në shtëpi nga Fejnordi me rezultatin 1-3.
Lini një Përgjigje