
Përfudnojnë ndeshjet e mbrëmjes në Champions League, të vlefshme për javën e gjashtë. Në Bergamo, Atalanta bëri surprizën e madhe, teksa mposhti Çelsin me përmbysje 2-1. Zhoao Pedro kaloi “Blutë e Londrës” në avantazh në minutën e 26 pas asistit të marrë nga kapiteni Ris Xhejms. Arbitri fillimisht e anuloi golin duke dyshuar për pozicion jashtë loje, por më pas ndërhyri VAR-i dhe goli u quajt i rregullt.
Në minutën e 55, Atalanta barazoi shifrat me Xhanluka Skamaka. Kur mendohej se të dy ekipet do të shtrëngonin duart, bergamaskët realizuan golin që i dha 3 pikët e arta me Sharl De Katelare në minutën e 85 e takimit.
Në “Camp Nou”, Barcelona mposhti me përmbysje 2-1 Ajntrahtin e Frankfurtit. Gjermanët kaluan të parët në avantazh. Pas një kundërsulmi perfekt dhe asistit të marrë nga Nataniel Braun, sulmuesi 23-vjeçar, Ansgar Knauf, pasi depërtoi bukur në zonë, u tregua më i shpejtë se mbrojtësit katalanas dhe dërgoi topin në rrjetë në minutën e 21, duke përfituar dhe nga një zënie në befasi e mbrojtjes katalanase.
Barça e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e dytë, duke përmbysur shifrat me dy gola të shpejtë. Katalanasit barazuan fillimisht shifrat me Zhul Kunde në minutën e 50.
Francezi shënoi me kokë, pas krosimit perfekt të Markus Rashford, i sapofutur në fushë në vend të Fermin Lopez. Tre minuta më pas, sërish Zhul Kunde shënoi me kokë, këtë herë pas krosimit të Lamin Jamal.
Në supersfidën e mbrëmjes në “San Siro”, Liverpuli triumfoi në “frymën e fundit” përballë Interit me golin e realizuar nga Soboslai në minutën e 88 nga pika e bardhë e penalltisë. Të kuqtë gjetën rrjetën me Ibrahima Konate, pas një goditjeje këndi, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR, për prekje të topit me dorë nga Virxhil van Dajk.
Në Eindhoven, Atletiko ia doli të triumfonte me vështirësi përballë PSV me rezultatin 2-3. Holandezët gjetën të parët avantazhin me golin e Gus Til në minutën e 10, “Kolçoneros” barazuan shifrat me të zakonshmin Julian Alvarez në minutën e 37.
Në minutën e 52, David Hanko kaloi në epërsi madrilenët, ndërsa 4 minuta më vonë, Aleksandër Shorloth vulosi golin e tretë dhe të 3 pikëve për ekipin e drejtuar nga Diego Pablo Simeone.
Në minutën e 85, Rikardo Pepi ngushtoi shifrat për holandezët, por goli i tij vlejti vetëm për statistikë.
Në sfidat e tjera, Totenhemi mposhti në shtëpi Slavian e Pragës me rezultatin e pastër 3-0, Marseja fitoi me vështirësi në transfertë 2-3 kundër Union SG, ndërsa Monako triumfoi me golin e Balogun në minutën e 68.
Lini një Përgjigje