TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Dhjetor 2025, 21:10

“Arrijmë Botërorin, Silvinjo meriton rinovimin”, Altin Rraklli: Shqiptarët e Kosovës janë më patriotë

Shkruar nga Pamfleti

“Arrijmë Botërorin, Silvinjo meriton rinovimin”, Altin

Altin Rraklli e ka parë kualifikimin e Shqipërisë në “Play Off” si arritje historike. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Kombëtares u shpreh se Silvinjo meriton rinovimin ndërkohë që foli edhe për cilësinë e skuadrës, afrimet e mundshme dhe natyrisht rrugëtimin drejt Botërorit, ku duket besimplotë se mund t’ia dalim.

Altin, Kombëtarja kualifikohet për herë të parë në “Play Off”. Si e ka parë këtë fushatë eliminatore të kuqezinjve?

Që do ishte e vështirë nuk diskutohej, sepse të gjithë e dinim forcën e Serbisë, e aq më të tepër forcën që Anglia ka dhe që nuk ka nevojë për koment. Ajo është shumë, shumë lart si ekip dhe për mendimin tim edhe Anglia nuk është se me lojë na ka bindur, edhe pse pikët i mori të plota dhe nuk pësoi gol. Por ekipi i madh si duket kur luan me ekipe më të vogla, nuk përqendrohet ose nuk e jep 100% e saj. Por pa e diskutuar këtë pjesë, vendi i parë dihej që ishte i prenontuar që kur u hodh shorti. Gjithmonë fjala ishte për vendin e dytë dhe kishte Serbinë kundërshtar direkt.

Dhe, në qoftë se do ta analizoj pak, pasin unë e kam thonë edhe nëpër intervista ku u hodh shorti atëherë, që patjetër ekipet vazos së dytë, siç është Serbia, janë të vështira, sepse prandaj janë në vazo të dytë, janë skuadra të forta. Por ne kemi treguar se dimë t’i mundim dhe e kemi bërë duke mundur Çekinë, Poloninë. Por realisht, Serbinë nuk e shihja aq të fortë sa në kualifikueset e para kur e kishim në grup, për Europianin.

Edhe trajneri i tyre nuk më bindte shumë. Emri i madh, por janë ballkanas, janë si ne. Si duket, emrat e mëdhenj nuk i marrin shumë seriozisht a ku e di unë. A më duket sikur kanë më shumë pritshmëri te futbollistët dhe emrat e mëdhenj dhe i mbivlerësojnë ndonjëherë. E shihja që kishte një handikap të madh mes njëri-tjetrit, lojtarë-trajner. Për këtë arsye mu dukej si një favorizim për ne ky fakt dhe na bëri që të besonim se Serbinë mund ta kalonim dhe në fakt ashtu doli. Në qoftë se do të bëjmë një krahasim të përgjithshëm, zhvilluam dy ndeshje me Serbinë dhe ishim më lart se ata.

Në qoftë se e marrim kokë më kokë si kundërshtar direkt, ne treguam në ndeshjet direkt me njëri-tjetrin që ishim më lart se ato dhe merituam vendin e dytë. Pastaj pjesa tjetër, edhe ne e bëmë gabime rrugës, por fatmirësisht shumë pak dhe kishim Letoninë vetëm në transfertë. Në ndeshjet e tjera ne bëmë shumë mirë dhe morëm maksimumin që ne mund të merrnim dhe mbetëm me një pikë para Serbisë por që për mendimin tim ishte e merituar. Por, gjithsesi duhet të presim sepse nuk ka përfunduar gjithçka sepse kemi “Play Off”.

Si e parashikon Shqipërinë në “Play Off”?

Unë besoj që janë nivel pak sa më i lartë edhe duke pasur parasysh formën që ka Polonia apo edhe dyshja tjetër Ukrainë-Suedi. Në fakt, në fakt unë e shoh më të fortë Poloninë se sa dyshen tjetër. Domethënë ato vijnë nga vazot e para por unë Poloninë e shoh më lart sepse janë një skuadër që janë rritur shumë. Nuk është Polonia si skuadra e viteve të para që jemi përballur në Europian. Janë rritur si skuadër. Por kjo nuk na i ul shanset tona, madje mund të them se shanset me Poloninë i kemi 50-50. Ndoshta duket e çuditshme por them se edhe faktori fushë mund të na ndihmojë sepse do të luajmë jashtë dhe jo në Tiranë.

Për mënyrën se si luajmë ne, si e zhvillojmë lojën, si vendosemi në fushë apo edhe si mund të shënojmë. Them që ndeshjet jashtë normalisht janë ma atraktive për ne sesa ndeshjet që ne luajmë brenda. Në ndeshjet brenda, ne kemi presion, na kapin emocionet dhe rrëmbehemi nga tifozeria. Por, jashtë nuk e kemi ne presionin, e ka kundërshtari dhe mund të jemi më të lirë. Është një ndeshje teke dhe mund ta kalojmë Poloninë.

Por, duhet të kemi parasysh një gjë gjithmonë. Janë disa pika, disa kushte që ne kemi shanse kundër atyre që ne duhet t’i arrijmë, që është fillimisht forma e skuadrës dhe shpresoj të jemi të plotë, pa dëmtime e pa mungesa. Më pas, duhet që të jenë të gjithë në formë të mirë sportive dhe fizike. Në qoftë se ne do i kemi në anën tonë këto dy faktorë, kam shumë besim se Poloninë mund ta godasim edhe brenda.

Meqenëse po flasim për skuadrën, si e ke parë listën?

A mendon se ka emra të tjerë që mund të ishin ftuar? Tani mua më vjen në mendje vetëm një emër që e kam thënë gjithmonë që ka qenë alternativë sepse ka kreativitet, ka lojën sulmuese dhe po flas për Muçin. Ernest Muçi është lojtari që duhet të ishte thirrur dhe duhej t’i ishte besuar më shumë. Pjesa tjetër, të gjithë lojtarët që ne kemi për momentin të gatshëm janë lojtarët më të mirë që kemi dhe besoj se janë thirrur. Duhet të kemi parasysh edhe një gjë. Kur flasim për Mehmetin, po flasim për një lojtar që akoma nuk është provuar mirë me ne.

Pra nuk është se ka dhënë prova. Ai nuk ka qenë një lojtar bazë i skuadrës dhe u harrua e s’po ftohet më. Unë nuk e shoh kështu. Ai duhet ta grumbullojë patjetër, sepse luan në një ligë shumë të fortë. Liga e dytë, Championshipi në Angli është shumë i fortë dhe them se duhej të ishte grumbulluar. Unë nuk them që duhej të vinte dhe të luante patjetër, por të paktën të ishte me skuadrën, ai po kalon moment të mirë, po tregon ndeshje të mira, po luan shumë mirë dhe natyrisht duhet që të ftohet me skuadrën.

Nuk diskutohet kjo pjesë, por pastaj pjesa, a e fut a s’e fut trajneri? Unë kam parë që Silvinjo të gjithë lojtarët e rinj që ka marrë, i ka aktivizuar. Ai s’ka marrë kurrë lojtarë, emra të rinj dhe të mos ju ketë dhënë hapësirë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse nuk e ka marrë sepse nuk ka ku ta aktivizojë.

Po nga ata që janë aktivizuar, çfarë komenti ke?

A ka ndonjë lojtar që të ka befasur qoftë për mirë, apo edhe për keq? Shiko, unë nuk dua të prononcohem me emra të përvetshëm se kush ka bindur apo kush nuk ka bindur, sepse njerëzit dhe të gjithë ato tifozët tanë, njerëzit që merren me futbollin edhe ju gazetarët vetë i keni nxjerrë ato pikat për secilin nga lojtarët, domethënë notat e secilit lojtarë në këto eliminatore. Patjetër që mungesa e formës optimale të Bajramit na ka munguar. Mungesa e formës optimale të Brojës na ka munguar. Pra janë dy forca sulmuese që në raste të caktuara, pavarësisht se nuk kanë pasur minutat e duhura me skuadrat e veta, kur kanë luajtur me ekipin tonë kombëtar, kanë treguar që kanë nivel, por nuk janë nga ana psikologjike, akoma në formën e tyre më të mirë. Pra, nuk kanë minutat e tyre, nuk kanë moralin e duhur, nuk kanë shënuar me skuadrat e veta dhe kjo i bën gjithmonë ekipin kombëtar të jenë, pa shumë moral dhe pa shumë besim te vetja.

Pastaj pjesa tjetër, nga ekipi duke filluar nga porta, mbrojtja komplet, të cilët kanë pësuar shumë pak gola dhe kjo te ne nuk ndodh shpesh, prandaj mund ta quaj sukses të madh. Mesfusha ka qenë mirë, unë këtu kam mendimin tim personal që e kam shprehur edhe vjet, në kohën që ishte Ramadani, Asllani dhe Laçi, tre që janë lojtarë të tre defensivë, për mendimin tim, janë lojtarë në struktura defensive. Dhe ti në qoftë se do të fitosh një ndeshje, nuk mund të luash me tre lojtarë defensiv në mesfushë. Këtu duhen lojtarë që edhe të krijojnë raste edhe luajnë afër portës, pra që edhe luan vetë, që hyn vetë dhe jep pasime golash apo edhe shënon vetë.

Unë gjithmonë kam thënë se perfekt për këtë, ishte Bajrami ose Muçi. Pastaj erdhi Shehu dhe doli Ramadani, që futej gjithmonë si rezervë. Shehu e rregulloi gjithë lojën, sepse lojtari ka kreativitet, po prapë në lojën sulmuese në ofensivë nuk është. Domethënë unë do preferoja një lojtar me këtë lloj formacioni që ai luan 4-2-3-1. Do preferoja që kjo treshja, që është sipër katërshes, në sulm, të ishin ofensiv, me Hoxhën, Brojën por edhe sulmuesin kryesor. Mungon një që është pas atij. Unë kështu do luaja me idetë e mia dhe nuk po them që jam më i miri por kam qenë sulmues vetë.

Kanë qenë dy tre ndeshje që kemi luajtur kështu, edhe me Anglinë dhe për 75 minuta ishim superiorë ne kundër Anglisë. Guxuam dhe bëmë presing lart. Prandaj them duhet bërë ky ndryshim sepse ne dimë të bëjmë mirë dhe e kemi bërë. Pjesa tjetër “play off”-it pastaj është për t’u parë. Thashë janë disa gjëra që duhet t’i kemi parasysh, në qoftë se do i kemi këto pika, atëherë kemi shans real, sepse nuk është Polonia si Spanja, nuk është as Italia, nuk është as Hungaria. Madje, Hungaria ka skuadër shumë më të mirë se Polonia, megjithatë doli jashtë. Pra, këto janë skuadra të brishta që në momente të caktuara dhe i godet edhe i shënon, i dëmton në çdo moment. Nuk është se janë skuadra që nuk i shënojnë dot gola.

Kohët e fundit, shumë lojtarë e zgjedhin Kosovën, ndërsa Shqipëria nuk ka afrime të reja, madje Bajrami u largua. Pse po ndodh kjo?

Ta them unë. Shqiptarët e Kosovës, që janë më patriotë, kjo nuk diskutohet. Por ky fenomen ishte edhe para se të krijohej Përfaqësuesja e Kosovës sepse lojtarë si Xhaka, Shaqiri, Mehmedi apo të tjerë, nuk e zgjodhën Shqipërinë por vendosën që të luanin për Zvicrën. Për mendimin tim, gjithë këta shqiptarë, që janë nga Kosova zgjedhin që të luajnë për vendin e tyre. Natyrisht nuk janë të gjithë njësoj sepse ka edhe lojtarë që nuk e bëjnë dhe qëndrojnë me skuadrën ku ishin në fillim, por pjesa më e madhe janë patriotë dhe duan që të luajnë për Kosovën, siç ishte rasti i lojtarëve të fundit që ikën nga Zvicra për të luajtur me Kosovën, si Hajdari apo Avdullahu.

Dhe unë mendoj se kjo është shumë e vështirë të bëhet nga një shqiptar i Shqipërisë. Ata nuk e zgjedhin Shqipërinë nëse do të kenë mundësi të luajnë për një skuadër si Gjermania apo të tjerë. Nuk dua të përmend emra të përvetshëm, por ne nuk bëjmë zgjedhje me patriotizëm siç e bëjnë shqiptarët e Kosovës. Ndonjëherë ne më shumë shohim interesin tonë personal. Pastaj është edhe kjo pjesa tjetër sepse lidhen bashkë që sot ekipi i Kosovës, me paraqitjet e veta, dhe me lojtarët që ka si Rashica, Zhegrova, Asllani që janë lojtarë që luajnë në klube të mëdha dhe elite.

Ky brum lojtarësh, e ngre pjacën e skuadrës dhe i jep tjetër reklamë. Tani është edhe “Play Off”-i, që Kosova do të ketë një shans për në Botëror me skuadrën që ka dhe kështu, ata thonë më mirë po kualifikohem me vendim tim, me gjuhën time, me shtetin tim. Pse jo? Mbi të gjitha, mendoj se është edhe shkaku i luftës, sepse Kosova e ka vuajtur shumë dhe tani e shohin si obligim për të luajtur.

Një pyetje të fundit për Silvinjon. A mendon se duhet të vazhdojë të jetë trajner i Shqipërisë edhe pa Botërorin?

Shiko, këtë pyetje dua t’ia bëj unë të gjithëve sepse futbolli sot është statistika, shifra dhe rezultate. Duke pasur parasysh që ai trajner ne na kualifikoi në Europian, se janë gjana që mblidhen këto nuk harrohen shpejtë. Bëri një vit jo të mirë me UEFA Nations League, por fundi i fundit, UEFA Nations League ka zëvendësuar ndeshjet miqësore dhe nuk duhet të merret shumë për bazë. Tani, kemi “Play Off”-in e Botërorit që nuk e kishim arritur kurrë. Prandaj them që Silvinjo e ka merituar vetë rinovimin e kontratës, pa asnjë diskutim./Panorama Sport

altin rraklli ish-futbollisti i kombëtares

Lini një Përgjigje