
Prokurori Giuseppe Chine ka kërkuar që Juventusit t'i jepet një zbritje prej 11 pikësh gjatë gjyqit që po mbahet sot në Gjykatën Federale të Apelit lidhur me mashtrimin me të ardhurat.
Sipas Federatës Italiane kjo është prova e tretë e cila përfshinë Bianconerët në skandalin e mashtrimit me financat e klubit, pas asaj të pak muajve më parë ku ju zbritën 15 pikë por që më pas ju rikthyen pas apelimit.
Juventusi është akuzuar për falsifikimin e fitimeve të tyre kapitale përmes rritjes së vlerave të transfertave të lojtarëve. Apelimi i tyre i fundit në Collegio di Garanzia ishte pjesërisht i suksesshëm dhe u anulua përkohësisht dënimi i tyre prej 15 pikësh në pritje të këtij gjyqi të tretë.
Chine ka kërkuar që Juventusit t'i jepet një zbritje e re prej 11 pikësh dhe gjithashtu ka kërkuar një pezullim prej tetë muajsh për Pavel Nedved, Paolo Garimberti, Assia Grazioli-Venier, Caitlin Mary Hughes, Daniela Marilungo, Francesco Roncaglio dhe Enrico Vellano.
Nëse Verdikti merret për zbritjen e pikëve, do të thotë se Juve do të zbresë në 58 pikë, duke i lënë ata gjashtë pikë prapa Milanit (me një lojë më pak) që tani është në vendin e katërt, duke ngelur jashtë Ligës së Kampioneve.
Gjithashtu vendimi i Gjykatës Federale të Apelit do të ndikojë dhe në vendimin që do të marrë më pas UEFA lidhur me skuadrën torineze. Një vendim për heqjen e pikëve do të pasohej me shumë mundësi me një përjashtim të bardhë e zinjve nga kompeticioni i Ligës së Kampioneve për një periudhë disa vjeçare.
Ndërkohë pasi janë dëgjuar të gjitha palët seanca është mbyllur dhe trupa gjykuese tashmë do të marrë një vendim në lidhje me këtë. Mediat italiane raportojnë se vendimi do të jepet ditën e sotme gjatë orëve të mbrëmjes.
Lini një Përgjigje