
Mbi tre milionë dokumente të cilësuara si ‘Top Sekret’ kanë dalë në dritë, në kuadër të çështjes që lidhet me financierin amerikan Jeffrey Epstein, një skandal me përmasa ndërkombëtare që ka prekur figura me ndikim brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara.
Përtej dosjeve që lidhen me akuzat për abuzim seksual ndaj të miturve, një pjesë e materialeve të publikuara ka tërhequr vëmendje për përmbajtjen e tyre të pazakontë: interesin e Epstein për fenomenin e UFO-ve dhe rrëmbimet e pretenduara jashtëtokësore.
Gazetari dhe shkrimtari spanjoll Javier Sierra, i ftuar në programin televiziv Cuarto Milenio të drejtuar nga Iker Jiménez, foli mbi disa nga dokumentet e reja që kanë dalë në dritë.
Në transmetimin e së dielës, më 1 mars, ai theksoi se po bëhen publike materiale që zbulojnë një interes të theksuar të Epstein për debatin mbi jetën jashtëtokësore.
Sipas Sierra-s, ndër dokumentet e deklasifikuara gjendet një email i datës 26 shkurt 2018, drejtuar fizikantit teorik dhe kozmologut amerikan Lawrence Krauss. Ky i fundit, i njohur për qëndrimet e tij skeptike dhe për teoritë mbi jetën në univers, rezulton të ketë pasur komunikim me Epstein lidhur me çështje që prekin fenomenet paranormale dhe UFO-t.
Nga përmbajtja e materialeve të publikuara, rezulton se Epstein i kishte dërguar Krauss-it artikuj dhe materiale ku kundërshtoheshin pretendimet për rrëmbime nga alienët, përvoja pranë vdekjes apo fenomene të tjera të mbinatyrshme. Madje, sipas raportimeve, ai kishte kontribuar financiarisht me rreth dy milionë dollarë për organizatën e lidhur me fizikanin, në një përpjekje për të mbështetur qasje më skeptike ndaj këtyre temave.
Sierra shtoi se në dokumente përmenden edhe persona të tjerë që besonin në ekzistencën e UFO-ve dhe që i janë drejtuar Epstein-it për mbështetje financiare në projektet e tyre kërkimore. Megjithatë, nga sa kuptohet, financieri amerikan kishte një prirje të qartë drejt pozicioneve mohuese, duke preferuar të mbështeste zëra që synonin të diskreditonin këto fenomene në opinionin publik.
Sipas analizës së bërë në emision, duket se interesi i Epstein nuk lidhej me promovimin e teorive mbi jashtëtokësorët, por më tepër me financimin e iniciativave që synonin t’i sfidonin apo t’i rrëzonin ato. Këto detaje shtojnë një dimension tjetër në profilin kompleks të tij, duke nxitur debat të ri mbi rrjetin e kontakteve, interesat dhe ndikimin e tij në fusha që shkojnë përtej financës dhe politikës.

Lini një Përgjigje