TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle17 Dhjetor 2023, 14:09

Skandal në BBC, media britanike nën hetim për mashtrim me intervistën e famshme të Princeshës Diana

Shkruar nga Pamfleti
Skandal në BBC, media britanike nën hetim për mashtrim me
Gazetarin britanik, Martin Bashir dhe Princeshë Diana

BBC mund të përballet me një hetim penal mbi pretendimet se fshehu dokumente të lidhura me gazetarin britanik, Martin Bashir.

Në një dalje të jashtëzakonshme, Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO) tha të shtunën se ekipi i hetimeve penale po shqyrton një ankesë se BBC ka shkelur Aktin e Lirisë së Informacionit 2000 (FOIA).

Nëse Korporata ndiqet penalisht, ajo do të përballet me një gjobë të pakufizuar. Zhvillimi vjen një javë pasi 'The Mail on Sunday' zbuloi se një gjykatës ka urdhëruar BBC-në të dorëzojë një sasi prej mijëra email-esh, të cilat mund të zbulojnë informacione rreth asaj që drejtuesit dinin për mashtrimin që përdori Bashir për të siguruar intervistën e tij në Panorama në 1995.

Deklarata e ICO-së tha se është një goditje tjetër për shpresat e BBC-së për të mbyllur diskutimet për skandalin e saj më të madh.

Bashir publikoi intervistën e famshme në të cilën Princeshë Diana tha “ishim tre prej nesh në këtë martesë”, duke iu referuar zonjës së atëhershme të Charles, Camilla duke hedhur spekulimet për tradhti.

Ai gjithashtu gënjeu se ora e Princit William ishte përgjuar për të regjistruar bisedat e saj dhe më pas i kishin falsifikuar deklaratat bankare, për të fituar besimin e Princeshë Dianës.

Në tetor 2020, pas një kërkese për Lirinë e Informacionit, BBC i dërgoi gazetarit Andy Webb një dosje me memorandume dhe procesverbale prej 67 faqesh nga viti 1995 dhe 1996, të cilat detajonin hetimin e saj të brendshëm mbi metodat e Bashirit.

Transmetuesi, megjithatë, mbajti një sërë dokumentesh inkriminuese sepse tha se Bashir ishte "seriozisht i sëmurë", dhe nuk ishte në gjendje të diskutonte këtë çështje me të.

Por më vonë janë publikuar emailet se drejtuesit e BBC në të vërtetë kanë qenë në kontakt të rregullt me ​​ish-reporterin e tyre.

Ndërsa BBC i fshehu dokumentet e dëmshme ndaj Webb, ai bëri publike një memo që kishte një pretendim të rremë dhe shumë shpifës se Earl Spencer, vëllai i Dianës, kishte bashkëpunuar me Bashirin. Pretendimi është mohuar prerazi nga Earl.

Në një ankesë drejtuar ICO-së, Webb pretendoi se BBC kishte shkelur seksionin 77 të FOIA, i cili e bën atë një vepër penale nëse një individ 'ndryshon, deformon, bllokon, fshin, shkatërron ose fsheh' informacion për të ndaluar zbulimin e tij nga një autoritet publik.

Në një goditje të madhe për BBC-në, ICO mbrëmë konfirmoi se po shqyrtonte kundërshtimin e zotit Webb.

"Çështja e Webb i është referuar grupit të hetimit penal, i cili po shqyrton materialin e ofruar”, tha një zëdhënës.

"Unë kam dyshuar prej kohësh se ajo që ka bërë BBC është më shumë se një tradhti besimi. Tani mund të mësojmë nëse kjo është e vërtetë", tha Webb.

"Është e pazakontë, ndoshta e paprecedentë, që BBC të jetë objekt i një hetimi të tillë", tha ish-shefi i ITN, Profesor Stewart Purvis, më parë nga Ofcom.

Korporata tha se 'të gjithë dokumentacionin përkatës' në posedim të tij iu kalua një hetimi për skandalin e Bashirit të udhëhequr nga ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë Lord Dyson, i cili publikoi një raport në vitin 2021.

"Ne i hedhim poshtë plotësisht këto akuza, duke përfshirë çdo sugjerim që BBC ka vepruar në mënyrë të paligjshme. Ne i kemi thënë vazhdimisht Webb se problemet e rëndësishme shëndetësore të Martin Bashir na penguan të zbulonim dokumentacionin në vitin 2020, pasi nuk ishim në gjendje ta konsultonim atë për çështjet thelbësore”, tha një zëdhënës, raporton DailyMail.

MSH zbuloi fundjavën e kaluar se si një gjyqtar gjithashtu dyshonte në ndershmërinë e BBC-së pasi ajo luftoi një fushatë dyvjeçare për të mbajtur të fshehura mijëra emaile, të dërguara nga menaxherët e BBC-së midis shtatorit dhe nëntorit 2020.

Transmetuesi e pranoi se 'janë bërë gabime' dhe se po shqyrton vendimin./Marrë nga "BBC", përshtati Pamfleti

bbc princesha diana

Lini një Përgjigje