
Ish-miss Kosova, Zana Berisha, e cila u bë virale para disa vitesh me paraqitjen e saj skandaloze në evenimentin e madh të bukurisë, para disa ditësh është ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prizren. Kjo, pasi Berisha u arrestua nën dyshimet për shantazh ndaj ish të dashurit të saj, një biznesmeni të njohur nga Prizreni, me të cilin është ndarë në mënyrë jo paqësore, rast ky që e futi në telashe edhe me ligjin.
‘Sinjali’ ka mësuar detaje ekskluzive nga ky rast në të cilin është përfshirë vajza që përfaqësoi Kosovën në Miss Universe 2018 dhe historinë e saj me biznesmenin që ra pre e saj dhe pagoi shuma të majme parash.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se hetimet për këtë çështje tashmë kanë nisur dhe përfshijnë raste që kanë ndodhur mes ish-missit dhe biznesmenit, në periudha të ndryshme, që nga viti 2021.
Lidhja e dashurisë mes ish-miss Kosovës dhe biznesmenit të njohur, përfundoi me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë nga ana e Berishës, e cila arriti ta shantazhojë biznesmenin për dy vjet me radhë, duke e kërcënuar se do t’i dëmtojë imazhin.
Gjithçka dyshohet se nisi në verën e vitit 2021, kur raportet mes tyre u krisën dhe doli në pah qëllimi që dyshohet se kishte Zana Berisha, ndaj të dashurit të saj, me të cilin mbajtën lidhje të fshehur. Zana ka përfituar nga biznesmeni jo më pak se 100 mijë euro para të thata.
Ish-missi e kërcënonte biznesmenin me publikimin e fotografive e video-incizimeve intime të tyre, që ajo i kishte realizuar gjatë kohës sa po shijonin lidhjen e dashurisë.
Në verë të vitit 2021, teksa e dyshuara ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka kërkuar nga viktima 100 mijë euro, me arsyetimin që ato të holla i duhen për të jetuar dhe plotësuar nevojat e saj.
Pas kësaj kërkese biznesmeni mendoi t’i japë fund lidhjes duke refuzuar t’ia dërgonte paratë, por aty vetëm sa filloi drama.
Ish-missi vendosi që të hakmerret duke e kërcënuar, e madje ka shkuar edhe më tej, duke ia dërguar familjarëve të tij fotografi dhe video-incizime ku ata shiheshin bashkë.
Në fillim të vitit 2022 Zana u kthye nga Amerika dhe dyshohet se ka vazhduar ta shantazhojë biznesmenin, me të cilin nuk arriti të merrej vesh nga distanca.
Pas gjithë asaj kohe, ish-missi dhe biznesmeni u takuan në një restorant të Prishtinës, ku e dyshuara i shkoi viktimës, me qëllim që ta kërcënojë sërish, duke i thënë se “asgjë nuk ka bërë, në krahasim me çfarë do t’i bëjë”, për ta paralajmëruar se do t’i publikojë të gjitha dëshmitë që i ka.
Përmes formave të tilla, në vitin 2022, Berisha dyshohet se arriti ta shantazhojë ish të dashurin biznesmen, të cilin e detyroi që t’i blejë një veturë luksoze (në vlerë rreth 70 mijë euro), duke e kushtëzuar, se në rast se nuk vepron kështu – atëherë ajo do t’i prishë një festë familjare të planifikuar.
E, si të mos mjaftojë kjo, biznesmeni pas rreth një viti është detyruar që t’i japë edhe të holla të dyshuarës me shpresën se kjo “punë” do të mbyllet dhe do t’i ndajnë rrugët. Këtë herë, ai i ka dhënë të dashurës shantazhuese rreth 50 mijë euro.
Por, as kjo shumë e majme parash nuk kreu punë dhe situata mes tyre si në filma vazhdoi me kërcënime e paralajmërime të frikshme.
Sipas të njëjtave burime, nga shtatori i vitit 2022 deri në korrik të këtij viti, biznesmeni ishte detyruar t’i japë para të dyshuarës çdo muaj, duke u kushtëzuar se nëse nuk e paguan, ajo do të vazhdojë t’i shkaktojë probleme në familje.
Duke vazhduar kështu të jetë viktimë e shantazhit, shuma që i kishte caktuar ish-missi ishte 5 mijë euro në muaj. Pra për 11 muaj biznesmeni ka dhënë 55 mijë euro.
Në total, biznesmeni ka paguar rreth 175 mijë euro, duke përfshirë edhe blerjen e veturës, falë kërcënimeve.
Seanca dëgjimore për këtë rast tashmë është mbajtur, ku gjykata i ka dhënë të drejtë Prokurorisë, por ende nuk është marrë vendimi i formës së prerë.
Lini një Përgjigje