
Në një përparim të madh për luftën kundër HIV/AIDS, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar ilaçin e ri “Yeztugo”, një injeksion inovativ që kërkon vetëm një dozë çdo gjashtë muaj për të parandaluar infeksionin me HIV.
I zhvilluar nga kompania Gilead Sciences, “Yeztugo” krijon një depo nën lëkurë – zakonisht në zonën e barkut – e cila lëshon gradualisht substancën aktive, duke siguruar mbrojtje afatgjatë. Edhe pse nuk mbron nga sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme, konsiderohet një hap revolucionar drejt frenimit të përhapjes së HIV.
Megjithatë, pavarësisht entuziazmit, sfidat për shpërndarjen masive të ilaçit mbeten: fondet federale për programet e parandalimit rrezikohen nga shkurtimet e propozuara nga administrata Trump, ndërsa çmimi i Yeztugo ende nuk është bërë publik, duke ngritur pikëpyetje për aksesin e pacientëve më të rrezikuar.
Sipas OBSH-së, vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 1.3 milion infeksione të reja dhe 630 mijë vdekje nga HIV/AIDS në mbarë botën. “Yeztugo mund të ndryshojë rrjedhën e kësaj epidemie,” tha drejtori i Gilead, Daniel O’Day, duke e quajtur miratimin “një hap të madh drejt një bote pa HIV/AIDS.”
Lini një Përgjigje