Ikona e muzikës botërore, Madonna, ka zbuluar se dekada të tëra performancash intensive, kërcimi me taka të larta dhe stërvitjet e vazhdueshme, kanë lënë pasoja të rënda në shëndetin e saj fizik.
Në një intervistë për revistën ‘Interview’, artistja 67-vjeçare rrëfeu se përballet me dëmtime serioze në njërin gju, duke theksuar se ka humbur plotësisht kërcin.
“Kam një problem me gjurin tani. Nuk kam fare kërc”, u shpreh ajo, duke shtuar se dëmtimi është rezultat i viteve të gjata me kërcim, vrap dhe praktikimin e Ashtanga Yoga.
Madonna tha se deri para rreth një viti ndiqte një regjim shumë të ngarkuar fizik, por tashmë është detyruar të ndryshojë mënyrën e stërvitjes për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Bëja kërcime në trampolinë, kardio dhe aktivitete që mjekët do t’i konsideronin të tepërta për nyjet. Tani nuk mund t’i bëj më”, u shpreh ajo.
Megjithatë, artistja theksoi se nuk ka hequr dorë nga aktiviteti fizik, duke u fokusuar tani te ushtrime më të lehta si çiklizmi, platforma Peloton dhe kërcimi.
Përveç problemeve shëndetësore, Madonna foli edhe për projektin e filmit autobiografik, i cili është anuluar për shkak të mosmarrëveshjeve financiare me studion.
Aktualisht, ajo është e angazhuar në muzikë dhe po punon për albumin e saj të 15-të në studio, “Confessions on a Dance Floor: Part II”.
Lini një Përgjigje