
Aktori dhe regjisori i njohur James Franco është kthyer në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale, pasi publikoi një seri videosh në TikTok ku pretendon se ka filmuar një krijesë jashtëtokësore pranë pronës së tij.
48-vjeçari, i cili hapi llogarinë JamesFranco2319 në muajin qershor dhe ka grumbulluar afro 1 milion ndjekës, shfaqet në videot e publikuara duke lënë të kuptohet se dikush po përpiqet ta pengojë të zbulojë atë që ka parë.
"Ata duan që unë të ndalem. Njerëzit mendojnë se po sillem çuditshëm, por nuk jam. Pashë diçka", dëgjohet të thotë Franco.
Më 13 korrik, aktori publikoi atë që e quajti "prova". Në pamje shfaqet ekrani i laptopit të tij me regjistrime bardhezi nga kamerat e sigurisë, ku duket një figurë humanoide me tipare që ngjajnë me ato të një alieni, pranë një peme dhe dritareve të një banese.
"Nuk mund ta mbaj më të fshehtë. Duhet ta publikoj, pikërisht sepse disa po përpiqen të më ndalojnë", u shpreh ai, duke paralajmëruar se do të publikojë edhe materiale të tjera.
Publikimet kanë ndezur debat mes ndjekësve. Një pjesë besojnë se Franco mund të ketë filmuar diçka të pazakontë, ndërsa të tjerë dyshojnë se bëhet fjalë për një fushatë të mirëmenduar promocionale për projektet e tij të reja.
Komentet nuk kanë munguar, me disa përdorues që shkruajnë se "ky film duhet të jetë shumë i mirë", ndërsa të tjerë kanë bërë shaka duke aluduar për një vazhdim të komedisë së njohur "Pineapple Express".
Dyshimet janë shtuar edhe më shumë për faktin se James Franco është duke punuar në disa projekte të reja kinematografike, mes tyre "John Rambo", thrilleri "Golden State Killer" dhe komedia "Toad", çka ka bërë shumë fansa të besojnë se videot misterioze mund të jenë pjesë e një strategjie promovuese.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje