TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle20 Prill 2026, 14:28

Jo më tre, semaforët shumë shpejt me katër ngjyra

Shkruar nga Pamfleti
Jo më tre, semaforët shumë shpejt me katër ngjyra
Jo më tre, semaforët shumë shpejt me katër ngjyra

Një grup studiuesish ka propozuar një ndryshim të pazakontë në sistemin e semaforëve: shtimin e një ngjyre të re, të bardhës, me synim përmirësimin e qarkullimit rrugor në epokën e automjeteve autonome.

Propozimi vjen nga një ekip kërkuesish në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe bazohet në konceptin e ashtuquajtur “faza e bardhë”, një sistem i ri komunikimi mes automjeteve dhe infrastrukturës rrugore përmes teknologjisë pa tel.

Sipas modelit të propozuar, drita e bardhë nuk do të zëvendësojë sinjalet ekzistuese (të kuqe, portokalli dhe jeshile), por do të funksionojë si një shtesë. Ajo do të aktivizohet vetëm në momentet kur në një kryqëzim ka një numër të mjaftueshëm automjetesh autonome, duke i udhëzuar shoferët që të ndjekin automjetin përpara dhe duke lejuar një rrjedhë më të koordinuar të trafikut.

Kur dominon qarkullimi i automjeteve tradicionale, sistemi kthehet automatikisht në funksionimin klasik të semaforëve.

Simulimet e realizuara nga studiuesit tregojnë rezultate inkurajuese. Sipas tyre, edhe me vetëm 10% automjete autonome në rrugë, mbingarkesa mund të ulet me rreth 3%. Ndërsa nëse kjo përqindje rritet në 30%, reduktimi i trafikut mund të arrijë deri në 11%, me potencial edhe më të madh në mjedise të avancuara teknologjikisht.

Megjithatë, projekti përballet me sfida të rëndësishme, sidomos për sa i përket kostos së lartë të infrastrukturës dhe nevojës për sisteme të sofistikuara komunikimi mes automjeteve dhe rrugëve.

Për këtë arsye, studiuesit sugjerojnë që fillimisht të zhvillohen testime pilot në zona të kontrolluara si kampuse universitare, porte apo qendra logjistike, përpara çdo zbatimi të mundshëm në rrjetet urbane.

semafore kater ngjyra

Lini një Përgjigje