
Duket se dokumentari i ‘Netflix’ mbi jetën dhe kariern e Victoria Beckham do ketë shumë për të treguar për ish-anëtaren e “Spice Girls”. Baby Posh, e famshme e viteve ’90, stiliste e njohur dhe sipërmarrëse inteligjente, Victoria Beckham flet hapur për udhëtimin e trazuar të një vajze që “donte me dëshpërim të pëlqehej”, në dokumentarin, që pritet të transmetohet sot.
Në këtë dokumentar, të titulluar thjesht “Victoria Beckham”, ish-Spice Girl, e njohur për fytyrën hermetike dhe përgjithësisht e perceptuar si “e ftohtë”, flet hapur për udhëtimin e saj dhe për uljet e ngritjet që i dhanë formë jetës së saj.
“Njerëzit mendonin se isha një njeri i lig që nuk buzëqesh kurrë. Por… unë buzëqesh. Mos u tronditni!”, bën shaka ajo në trajlerin zyrtar të dokumentarit.
51-vjeçarja e përshkruan veten si një vajzë të vogël të ngathët, që donte me dëshpërim të pëlqehej dhe rrëfen fillimet e vështira në botën e modës, pas ndarjes së grupit ”Spice Girls”.
“Njerëzit mendonin: ajo është një yll popi, u martua me një futbollist, kush mendon se është?”, shprehet nëna e katër fëmijëve, gruaja e lojtarit të famshëm të futbollit David Beckham, dhe tani një stiliste e njohur në krye të një perandorie me vlerë dhjetëra miliona euro.
Ikonat e modës si ish-drejtoresha e “Vogue USA”, Anna Wintour, dhe stilisti Tom Ford ndajnë përvojat e tyre në serialin e prodhuar nga kompania e David Beckham, ”Studio 99”.
Seriali transmetohet dy vjet pas një dokumentari në Netflix për David Beckham, i cili, sipas platformës, theu rekorde shikueshmërie në BM.
Lini një Përgjigje