
Konferenca për shtyp e filmit “Loja e Fundit” në Prishtinë nuk solli vetëm detaje për premierën, por edhe momente mjaft emocionale nga Luiz Ejlli dhe Kiara Tito, të cilët për herë të parë folën hapur për sulmet që kanë përjetuar në rrjetet sociale.
Kiara Tito theksoi se situata ishte bërë aq e lodhshme, saqë as bllokimi i llogarive nuk mjaftonte më.
“Kur preket familja dhe vajza jonë, që nuk ka asnjë lidhje me botën e showbiz-it, kjo kalon çdo kufi. Inati dhe xhelozia janë sëmundje të këqija. Nëse dikush nuk na pëlqen, zgjedhja më e thjeshtë është t’i injorojë,” u shpreh Kiara.
Nga ana e tij, Luiz Ejlli ndau një nga përvojat më të rënda si prind:
“Merre me mend, të çohesh prej gjumit dhe të shikosh mesazhe me foto të montuara të vajzës sime në arkivol… dhe të mendosh çfarë kam bërë, kam fituar një format, një mision, një spektakël, dhe ata i nisin këto.”
Ai u shpreh edhe për faktin se, pavarësisht gjithçkaje, duhet të dalë para publikut me buzëqeshje, ndërkohë që askush nuk pyet se si ndihet vërtet.
“Sado i poshtër të jem unë, sado i urryeshëm të jem, vajza ime nuk ka faj,” tha Luizi, duke lënë të kuptohet se siguria dhe mbrojtja e familjes së tij janë përparësia kryesore.
Momente veçanërisht prekëse ishin kur Luizi rrëfeu se sulmet kishin ndodhur edhe gjatë shtatzënisë së Kiarës:
“I shkruanin mesazhe dhe i thonin të vdektë fëmija në bark. E kam gjetur duke qarë.”
Këto rrëfime tregojnë se periudha e fundit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për çiftin, i cili përballon presionin e mediave dhe sulmet online duke ruajtur privatësinë dhe sigurinë e vajzës së tyre.
Lini një Përgjigje