Largimi i Gabbana-s nga udhëheqja e menaxhimit mund të sinjalizojë ose fundin e një epoke ose një rinisje strategjike.
Shtëpia italiane e modës Dolce & Gabbana njoftoi se bashkëthemeluesi i saj, Stefano Gabbana, është larguar nga posti i presidentit duke nisur nga 1 janari 2026, në kuadër të asaj që kompania e përshkruan si një “evoluim natyral” i strukturës organizative dhe qeverisjes korporative.
Në një deklaratë zyrtare, kompania sqaroi se largimi nga pozicionet drejtuese nuk ndikon në rolin krijues të stilistit, i cili do të vazhdojë të jetë aktiv në përcaktimin e identitetit estetik të markës. Postin e presidentit e ka marrë Alfonso Dolce, vëllai i Domenico Dolce dhe aktualisht drejtor ekzekutiv i kompanisë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, Gabbana po shqyrton gjithashtu opsionet e tij lidhur me 40% të aksioneve që zotëron, në një moment kur kompania është në negociata me bankat për menaxhimin e borxhit ekzistues. Në këtë kuadër ristrukturimi, në drejtimin e lartë të kompanisë pritet të ketë rol edhe Stefano Cantino, ish-drejtues në Gucci.
Dolce & Gabbana, e themeluar në vitin 1985, po përballet me një ngadalësim të tregut të modës luksoze, i ndikuar edhe nga pasiguritë gjeopolitike, veçanërisht në Lindjen e Mesme – një treg i rëndësishëm për sektorin. Sipas Bloomberg, kompania ka angazhuar Rothschild & Co si këshilltar financiar për negociatat me kreditorët, ndërsa borxhi bankar i saj arrin rreth 450 milionë euro pas një rifinancimi në vitin 2025.
Struktura e pronësisë mbetet e pandryshuar, me Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana që zotërojnë secili nga 40% të kompanisë, ndërsa pjesa tjetër u përket anëtarëve të familjes Dolce.
Pavarësisht suksesit ndërkombëtar dhe bashkëpunimeve të njohura – si ai me Madonna në vitin 1993 – marka është përballur në vitet e fundit me kritika dhe polemika, përfshirë akuza për racizëm dhe homofobi. Një nga episodet më të rëndësishme ishte anulimi i një sfilate në Shangai në vitin 2018, që ndikoi ndjeshëm në praninë e saj në tregun kinez.
Kompania thekson se largimi i Gabbana nga drejtimi nuk nënkupton tërheqje nga marka. Në njoftimin zyrtar thuhet se dorëheqja e tij nga funksionet në Dolce & Gabbana Holding Srl, Dolce & Gabbana Trademarks Srl dhe Dolce & Gabbana Srl është pjesë e një procesi riorganizimi dhe “nuk ka asnjë ndikim” në aktivitetin e tij krijues.
Ndërkohë, negociatat me institucionet financiare vazhdojnë dhe kompania nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi situatën ekonomike.
Ky zhvillim sinjalizon një fazë të re për Dolce & Gabbana, ku ndryshimet në drejtim bashkëjetojnë me vazhdimësinë krijuese, ndërsa e ardhmja e shtëpisë së modës do të varet nga vendimet strategjike në menaxhim dhe financa.
Lini një Përgjigje