TAGS-AT E JAVËS

Showbiz 3 Qershor 2026, 12:48

David Beckham do të nderohet me yll në Hollywood Walk of Fame

Shkruar nga Pamfleti
David Beckham do të nderohet me yll në Hollywood Walk of Fame
David Beckham do të nderohet me yll në Hollywood Walk of Fame

Ish-kapiteni i Anglisë dhe një nga figurat më të njohura të futbollit botëror, David Beckham, do të marrë një nga vlerësimet më prestigjioze në industrinë e argëtimit, një yll në Hollywood Walk of Fame. Ceremonia zyrtare do të zhvillohet më 12 qershor në Los Anxhelos.

Ky nderim vjen si vlerësim për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara, si dhe për praninë e tij të vazhdueshme në sport, biznes dhe kulturën popullore.

Gjatë ceremonisë pritet të mbajnë fjalë përshëndetëse bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, si dhe aktori i njohur Tom Cruise. Producenja e ceremonisë, Ana Martinez, vlerësoi kontributin e ish-futbollistit duke theksuar se:

“Roli i Beckham-it në rritjen e popullaritetit të futbollit në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i tij i vazhdueshëm në sport, argëtim dhe kulturën globale e bëjnë këtë nderim veçanërisht domethënës.”

Data e ceremonisë përkon me periudhën e zhvillimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa po atë ditë kombëtarja amerikane do të luajë ndeshjen e saj të parë në Los Anxhelos.

Në moshën 51-vjeçare, Beckham vazhdon të mbetet një prej emrave më të rëndësishëm të futbollit anglez. Ai mbajti shiritin e kapitenit të Anglisë për gjashtë vite dhe ishte pjesë e skuadrës së Manchester United që fitoi UEFA Champions League në vitin 1999.

Karriera e tij përfshin gjithashtu aventura te Real Madrid, Milan, LA Galaxy dhe Paris Saint-Germain, ku i dha fund futbollit të luajtur në vitin 2013.

Sot, Beckham është bashkëpronar i Inter Miami, klub që fitoi vëmendje globale pas transferimit të Lionel Messit në vitin 2023 dhe që vazhdon të jetë ndër ekipet më të ndjekura në futbollin amerikan.

Përtej suksesit në fushën e lojës, ai ka ndërtuar një profil të fuqishëm si sipërmarrës, ikonë mode dhe personalitet mediatik. Historia e jetës dhe karrierës së tij u rrëfye edhe në dokumentarin e Netflix të publikuar në vitin 2023, një projekt i realizuar nga kompania e tij e produksionit, Studio 99.

David Beckham do të nderohet me yll në Hollywood Walk of Fame

david beckham yll hollivud

Lini një Përgjigje