
Influencerja dhe sipërmarrësja italiane Chiara Ferragni është shpallur e pafajshme nga akuzat penale për mashtrim të rënduar në një çështje që përfshinte rreth 2 milionë euro dhe lidhej me shitjen e produkteve festive të promovuara si bamirësi për fëmijët me kancer.
Një gjykatës në Milano vendosi të mërkurën se akuzat ndaj Ferragni-t nuk ishin të pranueshme për t’u shqyrtuar në gjykatë, duke i dhënë fund procesit penal që kishte tërhequr vëmendje të madhe publike në Itali. Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 20 muajsh burg për influenceren 38-vjeçare.
Çështja kishte të bënte me fushatat promovuese për një version të kufizuar të ëmbëlsirës tradicionale të Krishtlindjes “pandoro”, të quajtur “Pink Christmas”, si dhe për vezë çokollate të Pashkëve, të realizuara në bashkëpunim me kompaninë italiane të ëmbëlsirave Balocco gjatë viteve 2022 dhe 2023. Marketingu i produkteve sugjeronte se të ardhurat nga shitjet do të shkonin për spitalin pediatrik Regina Margherita në Torino, për mbështetjen e kërkimeve kundër kancerit tek fëmijët.
Skandali shpërtheu pasi një gazetar investigativ zbuloi se Balocco kishte bërë një donacion prej 50 mijë eurosh për spitalin përpara nisjes së bashkëpunimit dhe se Chiara Ferragni kishte përfituar një pagesë komerciale prej rreth 1 milion eurosh për promovimin. Më pas u bë e ditur se të ardhurat nga shitjet e produkteve festive do t’i kalonin drejtpërdrejt kompanive të Ferragni-t dhe jo spitalit, siç ishte perceptuar nga publiku.
Duke folur në gjykatë në nëntor, Ferragni kishte mohuar çdo qëllim mashtrues, duke deklaruar se gjithçka ishte bërë me mirëbesim. “Gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë me mirëbesim. Asnjë prej nesh nuk ka përfituar personalisht”, ishte shprehur ajo, duke pranuar megjithatë se kishte pasur një “gabim në komunikim”.
As kompania Balocco, as spitali Regina Margherita dhe as ish-bashkëshorti i saj, reperi Fedez, nuk u akuzuan penalisht në këtë çështje. Megjithatë, pasojat publike dhe ekonomike të skandalit ishin të mëdha. Perandoria multimilionëshe që Ferragni dhe Fedez kishin ndërtuar ndër vite – që përfshinte emisione televizive, podkaste, bashkëpunime komerciale dhe marka mode – u godit rëndë dhe shumë projekte u ndërprenë.
E njohur në Itali si “Pandorogate”, çështja u kthye në një debat kombëtar mbi transparencën në marketingun e influencerëve dhe përdorimin e bamirësisë për qëllime komerciale. Skandali nxiti gjithashtu nisma ligjore për rregullimin e aktivitetit të influencerëve në vend, të mbështetura edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Lini një Përgjigje