
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme, ka certifikuar 22 subjektet politike që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme.
Teksa u refuzua certifikimi i Listës Serbe, një tjetër parti ka mbetur pezull në këtë proces.
Bëhet fjalë për Nismwn Socialdemokrate, e cila është në pritje të certifikimit, sapo të plotësojë listën e nënshkrimeve.
“Në mesin e subjekteve politike që kanë aplikuar është dhe Nisma Socialdemokrate– Nisma. Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00”, tha drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala.
Moscertifikimi i Listës Serbe ka sjellë edhe reagimin e ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili është shprehur i shqetësuar.
Hargreaves ka thënë se veprimet si ky e kërcënojnë reputacionin e Kosovës si demokraci multietnike, duke shtuar se shpreson se PZAP-ja do ta zhbëjë këtë vendim të KQZ-së.
“Jam thellësisht i shqetësuar me përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në procesin zgjedhor. Veprimet të tilla kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”, ka shkruar ambasadori i Britanisë.
KQZ-ja edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishte ceritifikuar Listën Serbe. Por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte urdhëruar KQZ-në ta certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Pavarësisht ankesës së LVV-së në Gjykatën Supreme, Lista Serbe kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Lini një Përgjigje