TAGS-AT E JAVËS

Kosova14 Prill 2024, 14:54

Vuçiç hap zyrtarisht ‘luftën’ diplomatike ndaj Kosovës, Daçiç: Hungaria do votojë kundër pranimit të Prishtinës në KiE

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç hap zyrtarisht ‘luftën’ diplomatike ndaj

Vuçiç tha se kjo kthesë është shkaktuar nga Rezoluta e shpallur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar ndryshimin e politikës së jashtme të Serbisë nga pasive në aktive.

Në një fjalim para gazetarëve pas shqyrtimit dhe ceremonisë në kazermën “Vasa Čarapić” në Beograd, Vuçiç tha se kjo kthesë është shkaktuar nga Rezoluta e shpallur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“U kam shkruar gjithsej 14 letra të ndryshme liderëve evropianë, kryesisht të personalizuara, secila ua kam drejtuar duke marrë parasysh rrethanat, në një mënyrë njohësve, në tjetrën mosnjohësve të Kosovës, të gjitha ato letra janë dërguar. Në ato letra i kam kërkuar që edhe një herë të shqyrtohet vendimi i tyre, për pranimin e Kosovës në KiE”, tha ndër të tjera Vuçiç, raporton Danas.

Vuçiçi i frikësuar se Serbia mund të dënohet për gjenocid nëse rezoluta për Srebrenicën e shpallur në Këshillin e Sigurimit në OKB, dërgohet në gjykatë, tha se do të luftojë deri në fund që diçka e tillë të mos ndodhë. Ai shtoi se kishte folur me Macronin dhe Scholzin për këtë çështje.

Veçanërisht e theksova trukun e datës 10 maj për dërgimin e draftit të ZSO-së në Gjykatën Kushtetuese, pas së cilës nuk do të vijojë asgjë. Për këtë kam folur edhe me Macron-in, ai ka pasur bisedime me Scholz-in, nuk e dimë se si do të zhvillohen më tej gjërat dhe ne jo vetëm do t'i përmbahemi ligjit, por do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësinë dhe të vërtetën”, theksoi ai.

Më tej Vuçiç kërcënoi Gjermaninë që të mos e votojë rezolutën për masakrën e Serbenicës, pasi Serbia do të bënte të njëjtën gjë ndaj saj, duke propozuar rezolutë për gjenocid në Kragujevc e Jajinci, si dhe ndaj popullit rus në Luftën e Dytë Botërore.

Nëse ata votojnë për atë ( Rezolutën për gjenocidin ), atëherë dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Por, meqë fshehurazi na thanë se Serbia nuk përmendet askund (në rezolutë), ne nuk do t'i përmendim askund as gjermanët, por do të dorëzojmë rezoluta për krimet në Kragujevc dhe Jajinci, dhe vitin e ardhshëm për Jasenovac. Ata hapën një kuti të tillë të Pandorës që së shpejti do të përballen me (rezolutat) për gjenocidin e popullit sovjetik dhe rus në Luftën e Dytë Botërore”, përfundoi Vuçiç, raporton Danas.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, më herët ka deklaruar se Hungaria do të votojë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Ai tha se gjatë bisedës telefonike të dy homologëve, zyrtari i lartë i Hungarisë i ka premtuar Daçiçit edhe refuzimin për mbështetjen e rezolutës së OKB për Srebrenicën në të cilën theksohet se Serbia ka kryer gjenocide gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë.

Ministri Szijjártó më përsëriti se Hungaria është e interesuar për suksesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se synimi i vazhdueshëm i Kosovës për t'iu bashkuar organizatave ndërkombëtare nuk e ndihmon këtë proces. Kemi diskutuar edhe për procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian, i cili mbetet synim prioritar i politikës sonë të jashtme”, tha Daçiç.

Megjithatë, kreu i diplomacisë serbe shprehet i shqetësuar se deputetët e Këshillit të Europës mund të votojnë në favor të Kosovës për anëtarësim, por gjithashtu shtoi se egziston mundësia që Komiteti i Ministrave të Jashtëm në takimin e majit, të mund ta hedhë poshtë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës./Pamfleti

vuçiç daçiç

Lini një Përgjigje