Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur i tronditur për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj.
Sveçla tha se “edhe përkundër përpjekjeve për rritjen e sigurisë për vajzat dhe gratë, rastet si vrasja tronditëse, janë thirrje për reflektim për të gjithë ne, si institucione dhe si shoqëri”.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë”, ka shkruar Sveçla.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.
Viktima është Erona Cokli, 21-vjeçare, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Valon Aliu, 36-vjeçar. Ajo mbeti e vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasditen e 12 prillit, kurse vëllai i saj i mitur është plagosur.
Lini një Përgjigje