Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar policin Alban Rashiti, i cili u plagos sot në orët e hershme të mëngjesit në veri të Kosovës, ngjarje ku u vra kolegu i tij Afrim Bunjaku.
Kurti tha se me sukses është kryer heqja e predhës së një granate.
Ai tha se polici Alban Rashiti, do të lirohet nga spitali.
Kreu i qeverisë së Kosovës gjithashtu bëri me dije se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit”, tha Kurti.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja është regjistruar rreth orës 02:34 kur disa serbë vendosën dy kamionë në urën e fshatit Banjskë të Zveçanit, duke bllokuar rrugën.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje sapo ka marrë raportimin, por ka hasur në një sulm me armë të kalibrit të rëndë, ku për pasojë është goditur rreshteri Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë, ndërsa u plagos dhe një efektiv tjetër.
Njësitë policore në kushtet e vetëmbrojtjes i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë, që personat që qëllonin me armë, ishin vendosur në disa pozicione, madje mendohet që në drejtim të policisë të jenë hedhur edhe granata.
Lini një Përgjigje