TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Shtator 2023, 07:37

Tensionohet situata në veri të Kosovës, vritet një polic, plagoset një tjetër

Shkruar nga Pamfleti

Tensionohet situata në veri të Kosovës, vritet një polic,

Nuk kanë fund tensionet për veriun e Kosovës, ndërsa një sulm me armë ndaj policisë raportohet të ketë ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas raportimeve bëhet me dije se një polic është vrarë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Mësohet se polici i vrarë është Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë.

Lajmi konfirmohet nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili thekson se gjatë natës, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës, ku për pasojë ka humbur jetën një efektiv dhe është plagosur një tjetër.

Kurti njofton gjithashtu se sulmuesit janë të maskuar e të armatosur me armë të rënda.

"Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.", shkruan Kurti.

Ndërkohë ky sulm i rëndë vjen gati katër muaj pas dhunës në veri të Kosovës, u plagosën disa trupa të misionit të NATO-s, KFOR.

Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën në fund të majit, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.

Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Ristuccia, tha më 19 shtator se nuk ka informacione të reja rreth hetimeve, por se e di se autoritetet e Kosovës janë duke punuar në to.

Ai tha se shpreson që edhe autoritetet në Beograd t’i hetojnë ata persona që “u kthyen në Serbi” pas trazirave.
Ristuccia tha se edhe KFOR-i pret që të gjithë autorët e dhunës “të ndiqen penalisht menjëherë”.

sulm kosove vritet nje polic

Lini një Përgjigje