TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Prill 2024, 09:20

Vota pro në KiE, Serbia nis hakmarrjen ndaj Kosovës; 300 qytetarë bllokohen në kufi (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Vota pro në KiE, Serbia nis hakmarrjen ndaj Kosovës; 300 qytetarë
Bllokimet në kufi

Nga orët e para të së mërkurës, mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi, në pikë kalimin me Kroacinë, kanë bërë të ditur disa shtetas të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

Fatmir Haxholli nga kjo zyrë ka thënë se kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion. 

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin 'Batrovci', Serbi - Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.

Haxholli, si dhe qytetarët e bllokuar, kanë konfirmuar se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet duke i mbajtur.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin 'ky është një urdhër nga Beogradi.”, ka shtuar Haxholli.

Haxholli ka thënë se është në pritje të përcjelljes së afërt që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci për t’iu gjetur afër qytetarëve.

Sipas njërit prej qytetarëve të bllokuar, janë më shumë se 15 autobusë të ndaluar.

Asambleja Parlamentare ka votuar PRO me shumicë votash që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës. Pro votuan 171 deputetë, ndërsa kundër ishin 29, 11 abstenuan.

Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Tani, fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

serbia kosova

Lini një Përgjigje