
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Albin Kurtit për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Vendimi është marrë në mbledhjen e 61-të të Këshillit të Përgjithshëm, që po zhvillohet të mërkurën.
Nominimi u shpall nga Glauk Konjufca, i cili e cilësoi Kurtin si “kryeministrin më të suksesshëm” dhe njëkohësisht “më të votuarin në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës”. Sipas tij, Vetëvendosje po riafirmon kandidaturën e një lidershipi që, siç u shpreh ai, ka pagëzuar transformime të rëndësishme sociale e demokratike në vend.
Konjufca përdori fjalimin edhe për të kritikuar partitë opozitare, të cilat sipas tij kanë vepruar me qëllim bllokimin e proceseve shtetërore. Ai tha se pas zgjedhjeve të shkurtit, Vetëvendosje kishte qenë e gatshme të qeveriste në koalicion, por ishte refuzuar nga partnerët potencialë.
“Më pas, edhe kur pati mundësi të formohej një qeveri tjetër nga opozita, ata sërish refuzuan. Kjo ka bërë shumë qytetarë të pyesin se çfarë synojnë me të vërtetë. Qëllimi i tyre është të krijojnë bllokim, që më pas ai të interpretohet si dobësim i LVV-së”, deklaroi Konjufca.
Sipas tij, opozita është e gatshme “të çojë vendin deri në buzë të humnerës”, duke sakrifikuar stabilitetin politik vetëm për t’i bërë dëm Kurtit.
Me vendimin e sotëm, Albin Kurti hyn zyrtarisht në garën për një tjetër mandat, në një klimë të nxehtë politike dhe mes akuzave të ndërsjella për bllokime institucionale.
Lini një Përgjigje