Kanon Kokolla, vëllai i pjesëtarit të FSK-së, Kushtrim Kokolla që u arrestua si i dyshuar për vrasjen e 33-vjeçares Liridona Ademaj Murseli ka reaguar në lidhje me dyshimet për përfshirjen e tij në krim.
I vëllai i anëtarit të FSK, është shprehur se janë të shokuar nga ngjarja, por theksoi se i vëllai atë mbrëmje ka qenë në shtëpi.
Ai tha gjithashtu se vëllai i tij nuk mund të jetë i përfshirë në krim dhe se kanë qenë shumë të lidhur me Liridonën.
“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di. Vallahi nuk besoj! Ai ka qenë shumë i lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën!
Nuk kam informata tani [flet për familjen e Liridonës]. Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar. Po n’a duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send”, ka thënë Kanon Kokolla për mediat kosovare.
Ndërkohë, arrestimin e pjesëtarit të FSK-së e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes.
“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se pas arrestimit të bashkëshortit të viktimës, Naim Murseli dhe vrasësit të Liridonës, Granit Plava dhe zbërthimit të tyre para grupit hetimor, duket se është bërë i mundur edhe arrestimi i Kokallës.
Vlen të theksohet se pak minuta pas arrestimit, bashkëshorti i Liridonës ka pranuar se ka porosit vrasjen e bashkëshortes te Granit Plava për një shumë prej 30 mijë eurosh. Nga të cilat 15 mijë, Naimi ja kishte dorëzuar vrasësit, ndërsa pjesën tjetër i kishte premtuar t’ia jepte më vonë.
Kujtojmë se vrasja tronditi Prishtinën mbrëmjen e së mërkurës. Në dalje të qytetit u vra Liridona Murseli, teksa po udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijët për në shtëpinë e saj. Fillimisht u raportua se ajo u vra nga një grabitës, i cili kërkoi nga familja Murseli para.
Bashkëshorti i Liridonës kishte deklaruar në polici se hajduti kishte urdhëruar atë të largojë fëmijët nga vetura. Atëherë edhe dyshohet të ketë vrarë Liridonën.
Policia ka kryer disa hetime intensive, duke arrestuar Naim Murselin dhe Granit Plavën. Të njëjtit dyshohet të kenë bashkëpunuar për vrasjen e tashmë të ndjerës.
Lini një Përgjigje