TAGS-AT E JAVËS

Kosova18 Korrik 2023, 09:15

Tre “përpjekjet” e dështuara të Ramës për takim me Kurtin

Shkruar nga Pamfleti
Tre “përpjekjet” e dështuara të Ramës për
Albin Kurti dhe Edi Rama

Mbajtja e takimit të kryeministrave të vendeve të rajonit në Tiranë pa Albin Kurtin nga opozita është konsideruar si refuzim nga kryeministri i Kosovës për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama, ndonëse Qeveria ka njoftuar se pjesëmarrja e Kurtit në një simpozium në Greqi në të njëjtën datë është konfirmuar muaj më parë.

Në të vërtetë Kurti nuk i ka fshehur arsyet e dy refuzimeve për t’u takuar me Ramën - në qershor pasi lideri shqiptar ka anuluar njëanshëm mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, edhe në korrik për shkak se Rama ka shpërfillur kërkesën e Kurtit që kjo mbledhje të mbahet gjatë kohës kur ai po e vizitonte Kosovën.

Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e liderëve të rajonit, më 16 tetor në Tiranë

Për “arsye objektive” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në drekën joformale të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me komisionarin e BE-së, Oliver Varhelyi, të organizuar të hënën në Tiranë.

Kurti ka arsyetuar mungesën në këtë takim me pjesëmarrjen e tij në një simpozium në Greqi, të cilën organizatorit ia ka konfirmuar muaj më parë, shumë më herët sesa ftesa e mbërritur për takimin e Tiranës. Për pamundësinë e pjesëmarrës, zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se Kurti e ka njoftuar edhe vetë Ramën.

Kjo ishte “përpjekja” e tretë e kryeministrit të Shqipërisë brenda një muaji që të takohet me Kurtin.

Herën e parë takimi ka dështuar për shkak të anulimit të njëanshëm nga Rama të mbledhjes së dy qeverive që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë më 14 qershor dhe për të cilën ishin bërë të gjitha përgatitjet. Madje ishte shtruar edhe tepihu i kuq. Rama në vend të mbledhjes së përbashkët kishte propozuar takim vetëm në nivel kryeministrash, por që ishte refuzuar nga Kurti.

Për të njëjtën arsye as gjatë qëndrimit të kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, javë më parë, nuk ka pasur takim mes dy liderëve. Kurti ka thënë se i ka propozuar kryeministrit Rama, që meqë po vjen në Kosovë, të mbahet mbledhja e dy qeverive dhe të nënshkruhen 13 marrëveshjet. Rama, që Kosovën po e vizitonte në kuadër të një turneu të tij në Ballkan, ka shpërfillur këtë propozim. Në Prishtinë është pritur nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, por jo edhe nga kryeministri Kurti.

“Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam dhënë, se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh… Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo edhe takime të tjera”, ka thënë Kurti në arsyetimin e tij.

Për mungesën e Kurtit në takimin e së hënës në Tiranë, Rama në bisedë me gazetarët është deklaruar shkurt.

“Nuk shoh asnjë interes, sepse ishin të gjithë të ftuar, se kush deshi erdhi dhe kush s`mundi s`erdhi”, ka deklaruar Rama.

Në takim morën pjesë kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç. Përveç Kurtit ka munguar edhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.

Kurti kritikohet për refuzimet që po i bën Ramës

Arsyetimi që ka dhënë Albin Kurti për mospjesëmarrjen në drekën e kryeministrave të vendeve të rajonit, përfaqësues të opozitës dhe dy njohës të zhvillimeve politike e kanë përkthyer si refuzim për takim me Ramën.

Analisti Artan Muhaxheri ka thënë se për nga rëndësia e takimeve në Tiranë e Kretë janë të pakrahasueshme. Në Greqi, Kurti ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Kryeministri Kurti mendoj që e ka gabim këtë qasje arsyetuese pasi rruga evropiane për Kosovën është jetike dhe asnjë projekt tjetër nuk mund të krahasohet me të”, ka deklaruar Muhaxheri.

Sipas tij, është e papranueshme që “problemet” mes kryeministrit Albin Kurti e kryeministrit Edi Rama të reflektohen edhe në raportin e Kosovës me BE-në.

“Procesi i Berlinit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rrugën integruese të vendit tonë në BE dhe kjo është edhe një sinjal tejet negativ për Qeverinë e Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë pasi është shumë gabim që ky takim të identifikohet vetëm me kryeministrin Rama pasi ky është takim i BE-së dhe në përgjithësi i bën dëm mospjesëmarrja e Kosovës në të”, ka thënë ai.

E në Shqipëri thonë se nga ndasitë mes dy kryeministrave më së shumti po pëson Kosova.

“Z. Kurti dhe z. Rama mund të mos kenë hiç marrëdhënie personale, por për hir të interesit të Kosovës, të shqiptarisë dhe Shqipërisë vetë patjetër që duhet të ulen, të komunikojnë, të bisedojnë”, ka theksuar analisti Edvin Kulluri.

Kulluri ka thënë tutje se anulimi i mbledhjeve të dy qeverive, prej nga ka filluar vazhda e refuzimeve të takimeve mes Kurtit e Ramës, ka mundur të shmangej meqë, sipas tij, takimi dypalësh ishte i vlefshëm për të ulur tensionet dhe se nuk besoj që ka pasur qëllim të keq.

“Z. Kurti nuk mund të sillet si një sovranist ekstrem në një vend që sovranitetin ia garantojnë vendet mike dhe aleate”, ka thënë ai.

Mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në takimin joformal në Tiranë e ka kritikuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, ka shkruar Çitaku.

Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së, e ka quajtur inatçore dhe jo shtetformuese qasjen e kryeministrit Kurti.

“Mosshkuarja e kryeministrit të Kosovës në një takim joformal të ftuar nga kryeministri i Shqipërisë tregon logjikën e mbrapshtë, logjikën inatçore, logjikën autoritare të një njeriu që e udhëheq Kosovën. Është e papranueshme që Kosova të përjashtohet nga të gjitha tryezat - jemi përjashtuar nga programi i BE-së, nga Defenderi amerikan, nga takimet në SHBA, tash u vetëpërjashtuam nga iniciativat rajonale. Kjo është logjikë inatçore dhe është jo shtetformuese”, ka thënë ai në një konferencë të AAK-së.

Vendet e rajonit shpresojnë në mbështetje shtesë nga BE-ja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit të së hënës ka treguar se mbështetja financiare nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë kryefjala e diskutimeve mes komisionerit Varhelyi e kryeministrave pjesëmarrës. Sipas Ramës, vendet e Ballkanit Perëndimor paralelisht me negociatat për anëtarësim në BE duhet të kenë mbështetje shtesë financiare.

“Kjo është diçka që ka filluar të formësohet dhe një plan i ri i mbështetjes ekonomike është duke u përgatitur dhe për këtë ne ishim sot me komisionerin, për të diskutuar, për t’u konsultuar dhe ndarë opinionet. Për se si në njërën anë vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten më shumë financiarisht dhe për si nga ana tjetër vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’u hapen disa shtigje të integrimit në tregun e Bashkimit Evropian, pa pritur që ato të anëtarësohen në BE”, ka thënë Rama, duke shtuar se është ndërtuar një hendek i përkrahjes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nga vendet anëtare të BE-së, sa i përket mbështetjes.

Komisioneri i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se në takim kanë diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik e social i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Së bashku me kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, folëm mbi Strategjinë e Re të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Jemi të përkushtuar që ta zbatojmë shpejt këtë plan konvergjence”, ka shkruar komisioneri Varhelyi, në një postim në Twitter.

Samiti i Procesit të Berlinit, në kuadër të së cilit është mbajtur takimi joformal ndërmjet disa prej kryeministrave të Ballkanit Perëndimor e komisionerit të BE-së, Oliver Verhelyi, do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.

rama kurti

Lini një Përgjigje