Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe rindezjes së tensioneve mes dy vendeve.
Në një reagim në Twitter, Stoltenberg thotë se ka biseduar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe thotë se Kosova duhet të de-përshkallëzojë tensionin dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues.
Më tej, shefi i NATO-s shton se Kosova dhe Serbia duhet t’i bashkohen dialogut të udhëhequr nga BE, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.
Stoltenberg ka siguruar gjithashtu se forcat paqeruajtëse të NATO-s do të vazhdojnë të sigurojnë një mjedis të sigurtë.
“Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE tani, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues. NATO-KFOR do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt.”, shkruan Stoltenberg.
Spoke to HR/VP @JosepBorrellF about #Kosovo. Pristina & Belgrade must engage in the EU-led dialogue now, as the only way to peace & normalisation. Pristina must de-escalate & not take unilateral, destabilising steps. @NATO_KFOR will continue to ensure a safe & secure environment.
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) May 28, 2023
Kujtojmë se të premten më 26 maj, qytetarët serbë kanë tentuar të bllokojnë objektet e komunave në veri të Kosovës dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në institucione. Si pasojë, pesë policë kanë mbetur të lënduar si dhe është dëmtuar një makinë.
Për situatën e tensionuar në veri të Kosovës ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, përgëzuan Policinë e Kosovës për punën e bërë, duke ritheksuar se ligji dhe rendi duhet të dominojë në gjithë vendin.
Lini një Përgjigje